Gratë shumicë në sektorin publik, burrat dominojnë pozitat drejtuese! Vetëm 3 gra ministre, asnjë grua kryetare e Kuvendit që nga pavarësia

Gratë janë shumicë në sektorin publik, por burrat dominojnë postet drejtuese. 57,5% e të punësuarve në sektorin publik janë gra, por ato nuk kanë qasje të barabartë në vendimmarrje, kështu konstaton raporti i Entit Shtetëror të Revizionit, cili përfshin periudhën nga viti 2020 deri në vitin 2024.

Revizioni konstaton mungesë politikash efektive për avancimin e grave në pozita udhëheqëse. Në Kuvend, gratë përbëjnë 39,2% të deputetëve, ndër përqindjet më të larta në rajon.

Analiza e kryer tregon se kuota e përcaktuar me ligj për gjininë më pak të përfaqësuar ka ndikim në pjesëmarrjen e grave në Kuvend. Në periudhën 2007–2024, pjesëmarrja e grave deputete varion nga 30 deri në 43 përqind, ndërsa në vitin 2024 ishte 39,2 përqind. Me këtë përqindje, vendi ka përfaqësim më të lartë të grave në parlament se 83 përqind e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, ndërsa krahasuar me vendet e rajonit që nuk janë anëtare të BE-së, renditet në vendin e parë”, thonë nga Enti Shtetëror për Revizion.

Që nga pavarësia, asnjë grua nuk ka drejtuar Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Edhe në Qeveri, përfaqësimi i grave mbetet i ulët – vetëm 3 nga 20 ministra janë gra. Në postet e zëvendëskryeministrave, ndërkaq, nuk ka asnjë grua. Raporti thekson se ndryshe nga Kuvendi, në Qeveri nuk ka kuotë ligjore për balancë gjinore.

“Në periudhën nga viti 2014 deri në vitin 2024, pjesëmarrja e grave në Qeveri si ministre varion nga 14 deri në 31 përqind, si zëvendësministre nga 7 deri në 25 përqind, ndërsa si sekretare shtetërore nga 6 deri në 31 përqind. Në përbërjen e Qeverisë 2024–2028, nga 20 ministrat me resor, vetëm tre janë gra, përkatësisht 15 përqind, ndërsa nga pesë zëvendëskryeministrat nuk ka asnjë grua”, theksojnë nga Enti Shtetëror për Revizion.

Raporti i Revizionit tregon se rruga drejt barazisë gjinore në vendimmarrje ende përballet me pengesa institucionale dhe shoqërore. Mungesa e mekanizmave të qartë për emërime, monitorimi i pamjaftueshëm dhe gjuha e urrejtjes ndaj grave vazhdojnë të ndikojnë në përfaqësimin e tyre në pozitat drejtuese. Revizioni kërkon masa konkrete nga institucionet dhe partitë politike për të krijuar kushte të barabarta dhe një mjedis më të sigurt për gratë në jetën publike.