Qeveria, në seancën e sotme, shqyrtoi informacionin për situatën e krijuar si pasojë e avarisë teknike në ndërtesën e “Nova Makedonija”, ku janë të vendosura tetë institucione shtetërore, si dhe për aktivitetet e ndërmarra deri më tani dhe ato të planifikuara për sanimin dhe normalizimin e plotë të kushteve për punë.
Duke i marrë parasysh pasojat, veçanërisht depërtimin e ujit në një pjesë të instalimeve elektrike, si dhe nevojën për kryerjen e të gjitha kontrolleve të nevojshme teknike dhe të sigurisë përpara rikthimit të objektit në funksion të rregullt, Qeveria miratoi konkluzion me të cilin u rekomandohet institucioneve të vendosura në objekt që ta riorganizojnë punën e tyre të përditshme, përkatësisht të punësuarit përkohësisht t’i kryejnë detyrimet e tyre të punës përmes punës nga shtëpia, pa praninë fizike në ndërtesë.
Kjo masë ndërmerret ekskluzivisht për arsye parandaluese dhe të sigurisë, me ç’rast prioritet mbetet mbrojtja e shëndetit dhe sigurisë së të punësuarve, paralelisht me vazhdimin e papenguar të proceseve të punës dhe funksionimin e institucioneve. Shërbimet kompetente punojnë intensivisht për sanimin e pasojave dhe krijimin e kushteve për kthimin e sigurt dhe të plotë të të punësuarve në objekt.


