180 raste të fruthit në Kosovë, IKShPK: Mbi 95% e të infektuarve ishin të pavaksinuar

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka bërë thirrje për vaksinimin e rregullt të fëmijëve, duke theksuar se kjo mbetet masa më e sigurt dhe më efikase për mbrojtjen nga fruthi dhe sëmundjet e tjera të parandalueshme.

Sipas të dhënave të IKShPK-së, gjatë periudhës 16 prill – 27 shtator 2026 janë konfirmuar 180 raste me fruth në Kosovë, ndërsa vetëm gjatë javës së fundit janë regjistruar tetë raste të reja.

Instituti bën të ditur se mbi 95 për qind e rasteve të konfirmuara i përkasin personave që nuk ishin vaksinuar me vaksinën MMR, duke e cilësuar këtë si dëshmi të qartë të rolit vendimtar të vaksinimit në parandalimin e sëmundjes.

Postimi i plotë i IKSHPK-së:

Vaksinimi është mbrojtja më e mirë – së bashku mbrojmë shëndetin e fëmijëve!

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) njofton qytetarët se vaksinimi mbetet masa më e rëndësishme, më e sigurt dhe më efikase për mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve dhe të gjithë komunitetit.

Sipas të dhënave të IKShPK, gjatë periudhës 16 prill – 27 shtator 2026 janë konfirmuar 180 raste me fruth, prej të cilave 8 raste janë regjistruar vetëm gjatë javës së fundit. Mbi 95% e rasteve të konfirmuara me fruth i përkasin personave të pavaksinuar me vaksinën MMR, gjë që dëshmon qartë rolin e këtij procesi në parandalimin e sëmundjes.

Për këtë arsye, krahas vaksinimit të rregullt sipas kalendarit kombëtar, IKShPK ka intensifikuar edhe vaksinimin e vonuar (catch-up), për fëmijët që për arsye të ndryshme e kanë shtyrë atë. Si rezultat i kësaj fushate, gjatë këtij viti janë vaksinuar mbi 3,176 fëmijë të grupmoshës 2–5 vjeç, duke konfirmuar ndërgjegjësimin e lartë dhe angazhimin e prindërve për të siguruar shëndetin e fëmijëve të tyre.

IKShPK vlerëson lart kontributin e prindërve, profesionistëve shëndetësorë, institucioneve dhe qytetarëve për rritjen e shkallës së vaksinimit. Çdo fëmijë i vaksinuar është një jetë më shumë e mbrojtur dhe një hap më afër ndërprerjes definitive të përhapjes së fruthit.

Vaksinimi i rregullt + catch-up = më shumë fëmijë të mbrojtur!