“Diplomacia e pandave” rikthehet në SHBA/ Dy panda mbërrijnë në kopshtin zoologjik të Atlantës

Dy panda gjigante nga Kina kanë mbërritur në Kopshtin Zoologjik të Atlantës, ku do të qëndrojnë për 10 vjet në kuadër të një marrëveshjeje për ruajtjen dhe shumimin e species.6-vjeçari Ping Ping dhe 5-vjeçarja Fu Shuang udhëtuan rreth 8 mijë milje nga Kina drejt SHBA-së. Ata u transportuan me një avion, të shoqëruar me bambu të freskët, ujë dhe ushqimet e tyre të preferuara.

Megjithatë, vizitorët nuk do të mund t’i shohin menjëherë. Ping Ping dhe Fu Shuang do të qëndrojnë rreth një muaj në karantinë, përpara se të prezantohen me publikun.

Ardhja e tyre në Atlanta ka edhe një rëndësi për programet e ruajtjes së pandave. Kafshët konsiderohen ende të cenueshme dhe riprodhimi në robëri është veçanërisht i vështirë, pasi femrat janë pjellore vetëm për një periudhë shumë të shkurtër çdo vit.

Ping Ping dhe Fu Shuang janë përzgjedhur për moshën, shëndetin, karakteristikat gjenetike dhe personalitetin e tyre, me shpresën se do të çiftëzohen natyrshëm.

Dy pandat janë gjithashtu pjesë e asaj që njihet si “diplomacia e pandave”, përmes së cilës Kina ka përdorur prej dekadash huazimin e pandave si një formë të marrëdhënieve diplomatike me vende të tjera.

Sipas marrëveshjes, pandat dhe pasardhësit e tyre do të mbeten pronë e Kinës dhe do të kthehen atje në të ardhmen.