Volkswagen, Audi e Seat tërheqin mbi 2 milionë automjete për shkak të një defekti!

Volkswagen dhe Audi tërheqin mbi 2 milionë automjete për shkak të një defekti. Shërbimi Federal për Transportin Motorik (KBA) i ka dërguar Ministrisë së Transportit një paralajmërim, bazuar në informacionet e prodhuesit, se ekziston rreziku i korrozionit të një buloni me të cilin mekanizmi i drejtimit është i fiksuar në nënshasinë e automjetit. Nëse buloni ndryshket, ai mund të thyhet dhe të shkaktojë humbjen e kontrollit mbi drejtimin, raportoi „Deutsche Welle“.

Në mbarë botën janë përfshirë rreth 2.16 milionë automjete, prej të cilave pak më pak se një milion në Gjermani. Problemi prek modelet Volkswagen Tiguan, Touran, Golf Variant, Caddy dhe Golf, të prodhuara nga 24 shtatori 2013 deri më 1 korrik 2024.

I njëjti problem është konstatuar edhe te SUV-i kompakt Audi Q3, me automjete të prodhuara nga 31 tetori 2017 deri më 23 maj 2024. Në nivel global janë prekur pothuajse 700 mijë automjete të këtij grupi modelesh, prej të cilave pak më shumë se 58 mijë në Gjermani.

Problemi prek edhe markën SEAT, konkretisht modelet Ateca dhe Tarraco, por deri tani nuk është bërë i ditur numri i saktë i automjeteve të prekura.

Nga Audi kanë bërë të ditur se deri tani nuk janë regjistruar raste të lëndimeve apo dëmeve të konsiderueshme materiale të lidhura me këtë defekt. Prodhuesit u bëjnë thirrje pronarëve të automjeteve të prekura që të vizitojnë serviset e autorizuara për kontroll dhe zëvendësimin e bulonit lidhës që fikson mekanizmin e drejtimit me nënshasinë.

Ndërhyrja do të jetë plotësisht falas për pronarët.