ASH mbajti kuvendin zgjedhor në Tearcë ku kryetar dege u zgjodh Mumin Xhemaili

Në një atmosferë të ngrohtë vëllazërore, mirë të organizuar, transparente dhe në përputhje të plotë me parimet demokratike të partisë, Dega e Aleancës për Shqiptarët në Tearcë mbajti sonte kuvendin e saj zgjedhor, me çka bëri një hap të rëndësishëm në kuadër të përgatitjeve gjithëpërfshirëse për Kongresin e V-të partiak.

Kuvendarët e pranishëm, me pjesëmarrje të gjerë dhe angazhim aktiv, zgjodhën në mënyrë unanime dhe demokratike Mumin Xhemailin për kryetar të ri të degës së Tearcës të Aleancës për Shqiptarët. Njëkohësisht, në këtë kuvend u zgjodh edhe kryesia e re e degës, si dhe delegatët që do të kenë nderin dhe përgjegjësinë të përfaqësojnë degën e Tearcës në Kongresin e ardhshëm partiak, një moment vendimtar ky për të ardhmen politike të Aleancës për Shqiptarët i cili pritet të mbahet muajt në vazhdim pas përmbylljes me sukses të procesit zgjedhor në të gjitha degët.

Me këtë rast, kryetari i partisë, Dr. Arben Taravari, së bashku me kryetarin e sapozgjedhur të degës, Mumin Xhemailin shprehën zotimin e tyre të fortë për vazhdimin e punës në drejtim të zgjerimit dhe konsolidimit të strukturave partiake në terren. Ata theksuan se forcimi i komunikimit të drejtpërdrejtë me qytetarët mbetet një prioritet themelor, duke e kthyer zërin e tyre në pjesë të pandashme të angazhimit politik të Aleancës për Shqiptarët.

Ky kuvend zgjedhor në Tearcë dëshmon edhe një herë përkushtimin e vazhdueshëm të Aleancës për Shqiptarët për ndërtimin e një organizimi partiak të fortë dhe gjithëpërfshirës. Partia po vazhdon në mënyrë të pandërprerë procesin e konsolidimit në çdo degë të saj, me bindjen se një strukturë e mirë organizuar në bazë është themeli i një force politike të qëndrueshme e të besueshme.

Me synimin për të qenë gjithnjë e më pranë qytetarëve dhe interesit të tyre të përgjithshëm, Aleanca për Shqiptarët riafirmon angazhimin e saj për një politikë të hapur, të përgjegjshme dhe në shërbim të plotë ndaj qytetarëve.