Qeveria e Kosovës ka miratuar mbrëmë Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, i cili synon themelimin dhe përcaktimin e kompetencave të kësaj Byroje, si dhe rregullimin e procedurës për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
Kështu është njoftuar nga vetë Zyra e Kryeminsitrit përmes një komunikate për media të datës 26.09.2026.
Ndërkaq ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, të shtunën, më 26.09.2026, në një konferencë për media, tha se projektligji tash do të procedohet në Kuvendin e Kosovës.
Sipas saj, projektligji është rezultat i një procesi disavjeçar të hartimit dhe rishikimit.
“Që nga mandati i kaluar ky ligj ka pësuar disa ndryshime të lehta dhe është dërguar edhe një herë në konsultime publike. Projektligji që kemi dërguar në Kuvend duhet parë si rezultat i një procesi të tërë. Ai ka kaluar nëpër disa faza të hartimit dhe rishikimit, është vlerësuar nga Komisioni i Venedikut, është shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese, është ndryshuar në bazë të gjetjeve të saj dhe është rihapur për konsultim publik ku janë marrë parasysh në masë mjaft të madhe edhe komentet e shoqërisë civile”- tha Gërvalla.
Ajo tha se iniciativa për krijimin e këtij mekanizmi daton nga viti 2020 dhe se ka qenë pjesë e reformave në drejtësi, sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit.
“Qëllimi ka qenë që Kosovës t’i jepet një instrument shtesë për trajtimin e rasteve kur ekziston një mospërputhje e konsiderueshme ndërmjet pasurisë së një zyrtari publik dhe të ardhurave të tij të ligjshme, por kur mekanizmat ekzistues të ndjekjes penale nuk janë të mjaftueshëm për të mundësuar konfiskimin e kësaj pasurie”- tha Gërvalla.
Sipas ministres, Byroja nuk do të ketë kompetencë për të marrë vendim për konfiskimin e pasurisë.
“Ky ligj nuk më krijon një mekanizëm penal dhe Byroja nuk konfiskon pasuri. Projektligji parashikon një procedurë civile që zhvillohet para gjykatës, me standarde të përcaktuara të provës dhe me të drejtë ankese. Byroja ka rol përgatitor dhe analitik. Ajo mbledh, analizon dhe verifikon të dhënat dhe kur vlerëson se plotësohen kushtet ligjore e paraqet çështjen para gjykatës”- tha tutje Gërvalla.
Ajo shtoi se vendimi përfundimtar për konfiskimin e pasurisë i takon gjykatës.
Gërvalla tha se gjatë hartimit të projektligjit është synuar ruajtja e balancës ndërmjet interesit publik për luftimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe mbrojtjes së të drejtave individuale.
Gërvalla e cilësoi Projektligjin për Byronë si një prej shtyllave të reformës në sistemin e drejtësisë.
“Ligji për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme do të jetë një prej garancive të forta për këtë. Me këtë ligj jam e sigurt që kemi vënë themelin e reformës më të thellë në sistemin e drejtësisë në Republikën e Kosovës”- përfundoi ajo.


