Gazetari Vedat Xhymshiti ka bërë të ditur se shtëpia e prindërve të tij të ndjerë është përfshirë nga zjarri. Sipas tij, kjo është e njëjta shtëpi që ishte djegur në vitin 1999 gjatë luftës në Kosovë, përcjell tetova1
Xhymshiti thotë se këtë herë zjarri dyshohet të jetë i qëllimshëm dhe e lidh ngjarjen me punën e tij si gazetar, ndërsa ka kërkuar nga autoritetet e Kosovës që rasti të hetohet.
Gazetari ka bërë të qartë se nuk akuzon askënd konkretisht për vënien e zjarrit pa prova, por në postimin e tij përmend persona dhe struktura të ndryshme, të cilët i konsideron përgjegjës për klimën e, siç shprehet ai, “urrejtjes dhe linçimit” ndaj tij.
Më poshtë, postimi i plotë i Vedat Xhymshitit:
Postimi i plotë:
“ NË 1999 E DOGJËN FORCAT E MILLOSHEVIQIT. SOT, SHTËPISË SË PRINDËRVE TË MI IU VU ZJARRI PËRSËRI.
Kjo është shtëpia e prindërve të mi të ndjerë. Sot është e djegur përsëri.
Në vitin 1999, këtë shtëpi e dogjën forcat serbe të regjimit të Millosheviqit, gjatë fushatës së dokumentuar të dëbimeve, vrasjeve dhe djegies së pronave shqiptare në Kosovë.
Tash, dekada më vonë, dikush i ka vënë zjarrin përsëri. Për mua, ky sulm lidhet drejtpërdrejt me punën time si gazetar dhe me përpjekjen për të më frikësuar e heshtur.
Nuk do ta akuzoj pa prova askënd se ia ka vënë flakën shtëpisë. Por për klimën e urrejtjes dhe linçimit ndaj meje do t’i mbaj publikisht përgjegjës të gjithë ata që e kanë ushqyer urrejtjen ndaj meje: drejtues të veteranëve të luftës, përfshirë Hysni Gucatin, figura të larta të PDK-së, përfshirë Elmi Reçicën eksponentë të AAK-së si Dardan Krasniqi që nuk ka lënë thuajse prezantim televiziv pa e përmendur emrin tim me insinuata vrasëse ndaj meje, dhe secilin që ka shënjestruar emrin tim për shkak të punës sime si gazetarë.
Serbia dikur na digjte shtëpitë për të na dëbuar. Sot, kushdo që po e përdor zjarrin dhe frikën për ta heshtur një gazetar po e përdor të njëjtën gjuhë të terrorit.
Pyetja është shumë e thjeshtë: a kemi autoritete në Kosovë, dhe a do ta hetojnë këtë sulm siç duhet?
UNË NUK DO TË NDALEM”, ka shkruar Xhymshiti./tetova1.mk




