Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka zhvilluar një bisedë telefonike rreth një orë me homologun rus, Vladimir Putin, ku një ndër temat kryesore ishte furnizimi i Serbisë me gaz dhe çmimi i tij. Dy liderët diskutuan gjithashtu për marrëdhëniet mes Beogradit dhe Moskës, luftën në Ukrainë dhe zhvillimet në Ballkan. Çështja e furnizimit me gaz ka qenë në fokus të kontakteve të fundit mes Serbisë dhe Rusisë, ndërsa Beogradi synon arritjen e një marrëveshjeje të re.
“Sapo përfundova një bisedë të gjatë, njëorëshe, me presidentin e Federatës Ruse, Vladimir Vladimiroviç Putin”, tha Vuçiç.
Sipas presidentit serb, një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua çështjeve energjetike dhe veçanërisht çmimit të gazit, ndërsa në bisedë u prekën edhe bashkëpunimi dypalësh, marrëdhëniet mes dy vendeve dhe situata ndërkombëtare.
“Folëm për çështjet energjetike”, u shpreh presidenti serb.
Vuçiç tha se oferta prej 318 eurosh për 1.000 metra kub gaz përbën një çmim të favorshëm për Serbinë, duke theksuar njëkohësisht rëndësinë e sigurimit të sasive të nevojshme.
“Kjo tregon se Serbia ka një çmim të mirë, fleksibilitet të mirë dhe sasi të mjaftueshme gazi. Diskutuam edhe për Industrinë e Naftës së Serbisë (NIS), ku situata është më e ndërlikuar, por gjithsesi shkëmbyem mendime edhe për këtë çështje”, tha ai.
Në përfundim, presidenti serb e konsideroi bisedën me Putin të rëndësishme për të ardhmen e vendit dhe për ruajtjen e interesave të Serbisë në raport me aktorët ndërkombëtarë.
“Besoj se ishte një bisedë e rëndësishme për të ardhmen e Serbisë dhe jam i bindur se edhe ata që do të jenë presidentë të Serbisë në të ardhmen do të dinë të mbrojnë interesat e vendit dhe të ruajnë këtë lloj ekuilibri dhe përgjegjësie ndaj të gjithë aktorëve të rëndësishëm të politikës ndërkombëtare”,përfundoi ai.


