Gashi: Agjenda evropiane duhet të shndërrohet në agjendë qytetare

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka marrë pjesë në Forumin Qytetar “Maqedonia e Veriut dhe e ardhmja e Evropës”, të organizuar nga Parlamenti Evropian në bashkëpunim me Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.

Gashi tha se në forum është diskutuar hapur për rrugën evropiane të vendit dhe për çështjet që janë më të rëndësishme për qytetarët.

“Për mua, integrimi evropian nuk nënkupton vetëm përmbushjen e kritereve dhe harmonizimin e ligjeve. Ai nënkupton arsim më të mirë, shëndetësi cilësore, vende pune dinjitoze, institucione funksionale dhe një të ardhme për të rinjtë këtu, në vendin tonë”, deklaroi Gashi.

Ai theksoi se procesi i integrimit evropian duhet të lidhet drejtpërdrejt me nevojat dhe pritshmëritë e qytetarëve.

“Dua që agjendën evropiane ta shndërrojmë në një agjendë qytetare, në të cilën zëri, pritshmëritë dhe kritikat e qytetarëve do të jenë pjesë e krijimit të politikave”, u shpreh kryeparlamentari.

Sipas Gashit, përparimi drejt Bashkimit Evropian nuk duhet të shihet vetëm përmes reformave institucionale dhe harmonizimit të legjislacionit, por edhe përmes përmirësimit konkret të kushteve të jetesës dhe krijimit të perspektivës për të rinjtë në vend.