Federata Botërore e Futbollit (FIFA) i ka ndaluar klubit turk Fenerbahçe regjistrimin e lojtarëve të rinj.
Ndalimi është publikuar në faqen zyrtare të organizatës dhe vlen për tri afate kalimtare. Vendimi ka hyrë në fuqi më 25 shtator.
Klubi nga Stambolli njoftoi se vendimi lidhet me një pagesë të papërfunduar për transferimin e sulmuesit Yusuf En-Nesyri nga Sevilla në vitin 2024. Sipas Fenerbahçes, drejtuesit e mëparshëm të klubit nuk kanë kryer një nga pagesat për futbollistin maroken, e cila duhej të bëhej më 30 prill.
Klubi turk premtoi se borxhin do ta shlyejë të hënën, pas së cilës pritet të hiqet ndalimi për transferime.
Pas gjashtë javësh, Fenerbahçe renditet në vendin e gjashtë në tabelën e Superligës turke me 10 pikë.


