Kryeministri al-Zaidi: Iraku synon të bëhet qendër globale e prodhimit të energjisë

Kryeministri irakian, Ali al-Zaidi, ka deklaruar se Bagdadi synon ta shndërrojë Irakun në një qendër globale të prodhimit të energjisë dhe të përdorë kapacitetet e vendit për të forcuar sigurinë dhe stabilitetin rajonal dhe ndërkombëtar, transmeton Anadolu.

Duke iu drejtuar Asamblesë së Përgjithshme të 81-të të OKB-së në New York, al-Zaidi tha se Iraku synon të shfrytëzojë potencialin e tij energjetik në një mënyrë që mbështet sigurinë dhe stabilitetin e qëndrueshëm, si në nivel rajonal ashtu edhe në atë ndërkombëtar.

Megjithatë, ai shprehu shqetësim për ndërprerjet që ndikojnë në transport dhe lundrim detar, si dhe për rolin e tyre në rritjen e çmimeve globale të energjisë.

Për të kufizuar këto rreziqe dhe pasojat e tyre, al-Zaidi tha se Iraku po punon për diversifikimin e pikave të eksportit të naftës dhe zhvillimin e rrugëve energjetike që lidhin vendin me Turqinë Jordaninë dhe Sirinë, duke mundësuar qasje në tregjet globale.

Ai tha se këto masa synojnë të kontribuojnë në sigurinë energjetike dhe në diversifikimin e rrugëve të furnizimit.

Al-Zaidi e përshkroi diversifikimin ekonomik të bazuar në partneritete të mirëfillta si një objektiv qendror strategjik të politikës ekonomike të qeverisë.

Ai theksoi gjithashtu projektin irakian “Rruga e Zhvillimit” si një vizion gjithëpërfshirës për integrimin dhe stabilitetin rajonal, duke shtuar se ai do të shërbejë si një korridor strategjik për tregtinë, investimet, industrinë dhe energjinë.

Projekti është konceptuar për të lidhur Portin Grand Faw në jug të Irakut me Turqinë dhe më tej me Evropën.

Al-Zaidi tha se Bagdadi dëshiron që projekti të jetë i hapur për pjesëmarrjen e të gjitha vendeve fqinje dhe mike, duke argumentuar se interesat e përbashkëta ekonomike mund të ndihmojnë në krijimin e prosperitetit.

Ai tha gjithashtu se, me përfundimin e misionit të koalicionit ndërkombëtar në Irak, Bagdadi po e orienton marrëdhënien me partnerët strategjik nga bashkëpunimi ushtarak drejt bashkëpunimit ekonomik dhe zhvillimor, në shërbim të interesave të ndërsjella.

Sa i përket sigurisë së brendshme, al-Zaidi tha se shteti do të vazhdojë të ketë autoritetin e vetëm mbi vendimet për luftën dhe paqen dhe se armët dhe mjetet e përdorimit të forcës duhet të mbeten në duart e institucioneve kushtetuese.