Mickoski nga Nju Jorku: Presim që integrimi evropian të mbetet një proces i bazuar në merita

Kryeministri Hristijan Mickoski, në fjalimin e sotëm para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, tha se procesi i integrimit evropian po zgjat përtej çdo afati të arsyeshëm dhe i bëri thirrje Bashkimit Evropian të sigurojë parashikueshmëri dhe respektimin e rregullave.

“Historia jonë na ka mësuar se kompromiset ndërkombëtare janë shumë të vështira dhe se paqja, stabiliteti dhe integrimi kërkojnë guxim politik dhe sakrifica të mëdha. Dhe pa dashur të tingëlloj sikur po jap mësime, nëse dikush dëshiron të shohë një shembull të një vendi që disa herë ka hequr dorë nga diçka që natyrshëm i takon si një e drejtë themelore – diçka që shumë njerëz e marrin si të mirëqenë – mjafton të shikojë historinë e afërt të vendit tim. Një histori e shënuar nga sfida, nga rreziqe të sigurisë me përmasa rajonale, nga kompromise dhe lëshime të vazhdueshme të bëra në emër të paqes, bashkëpunimit dhe qëllimeve më të larta të integrimit, shpesh me çmimin e ndjenjës sonë më themelore për dinjitet dhe drejtësi. Morëm vendime vërtet të vështira. Vazhduam përpara edhe kur proceset zgjatën më shumë nga sa një brez qytetarësh mund të priste në mënyrë të arsyeshme. Por pikërisht për këtë, duke i parë ato vendime nga një distancë kohore dhe me një vetëdije të qartë për realitetin, sot mund të them me përgjegjësi se besimi nuk mund të jetë pafundësisht një detyrim i njëanshëm”, theksoi Mickoski.

Ai i bëri thirrje Bashkimit Evropian që, nëse kërkon nga vendet e vogla kandidate të respektojnë rregullat e tij, edhe vetë t’i respektojë rregullat që ka vendosur.

“Nëse nga shtetet e vogla pritet të respektojnë rregullat, atëherë rregullat duhet t’u sigurojnë edhe atyre parashikueshmëri. Nëse nga kandidatët për anëtarësim në një organizatë kërkohet të përmbushin kritere të caktuara, atëherë përmbushja e këtyre kritereve duhet të çojë drejt përparimit. Nëse u kërkojmë qytetarëve t’u besojnë institucioneve, atëherë institucionet duhet të tregojnë se fjala e tyre ka vlerë dhe se detyrimet e marra përsipër zgjasin. Rregulli që vlen sot nuk mund të jetë nesër ndryshe vetëm sepse ka ndryshuar raporti i forcave. Dhe detyrimi i marrë përsipër nuk mund të jetë një leverdi e përkohshme politike. Ai duhet të jetë baza mbi të cilën njerëzit mund të planifikojnë të ardhmen e tyre”, tha Mickoski nga foltorja e Kombeve të Bashkuara.

Ai shtoi se qytetarët duhet të shohin se rregullat zbatohen në mënyrë të njëtrajtshme dhe se kompromiset e bëra nuk do të çojnë vetëm drejt kërkesave të reja për lëshime.

“Ne u kërkojmë qytetarëve tanë të besojnë te bashkëpunimi, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, kompromisi dhe respekti i ndërsjellë. U themi se paqja e qëndrueshme vlen më shumë se një fitore politike afatshkurtër, se respektimi i marrëveshjeve është shenjë force dhe mençurie, se kjo është procedura e duhur dhe jo shenjë dobësie, se integrimi evropian dhe euroatlantik nënkupton pranimin e rregullave që vlejnë njësoj për të gjithë. Por ky argument bëhet shumë më i vështirë për t’u mbrojtur kur qytetarët shohin se në marrëdhëniet ndërkombëtare parimi ndonjëherë i lë vend fuqisë, se kriteret mund të ndryshojnë ndërkohë që procesi tashmë ka filluar; ose se nga disa kërkohet konsistencë të cilën të tjerët jo gjithmonë ia kërkojnë vetes. Nuk mund t’u themi njerëzve ‘Besojuni rregullave’, kur ata shohin se rregullat nuk vlejnë njësoj. Nuk mund t’i bindim se kompromisi është virtyt nëse çdo kompromis sjell një kërkesë të re. Dhe nuk mund të presim besim te institucionet ndërkombëtare nëse qytetarët fillojnë të besojnë se fati i tyre përcaktohet më shpesh nga pesha politike e shtetit të tyre sesa nga forca e parimit të pranuar bashkërisht”, përfundoi kryeministri.

Sipas tij, kredibiliteti i Bashkimit Evropian varet nga aftësia e tij për t’iu përmbajtur rregullave të proceseve të veta.

“Bashkimi Evropian për ne mbetet shtëpia jonë e natyrshme politike, ekonomike dhe institucionale. Edhe ne kemi punë për të bërë në shtëpi. Duhet të forcojmë sundimin e ligjit. Të ndërtojmë institucione më efikase. Të ndërtojmë një ekonomi më konkurruese. Dhe të forcojmë besimin e qytetarëve te shteti i tyre. Kjo është përgjegjësia jonë dhe nuk do t’ia kalojmë Brukselit. Në të njëjtën kohë, presim që integrimi evropian të mbetet një proces i bazuar në merita dhe kritere të matshme, dhe jo një proces në të cilin çështjet dypalëshe mund ta zhvendosin vazhdimisht cakun. Nuk kërkojmë një rrugë më të lehtë. Kërkojmë një rrugë të rregulluar me rregulla. Nuk kërkojmë standarde më të ulëta. Kërkojmë që standardet të mbeten standarde”, tha ai.

Duke folur për përcaktimet strategjike të vendit, Mickoski tha:

“Qytetarët maqedonas e dinë se ku përkasin. Ne jemi aleat në NATO. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partneri ynë strategjik. Anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian është përcaktimi ynë strategjik. Këto nuk janë tri politika të ndara. Është një orientim i vetëm gjeopolitik, i bazuar në demokraci, sigurinë kolektive, sundimin e ligjit dhe ekonominë e hapur. Në një kohë pasigurie, përgjigjja jonë nuk është paqartësia strategjike. Përgjigjja jonë është qartësia.”