Në akademinë përkujtimore të mbajtur në shënim të trevjetorit të rënies në krye të detyrës të rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka kujtuar sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit të 24 shtatorit 2023, duke vlerësuar se Policia e Kosovës kishte parandaluar një përpjekje për shkëputjen dhe aneksimin e veriut të vendit.
Haxhiu ka thënë se mëngjesin e 24 shtatorit 2023, Afrim Bunjaku dhe kolegët e tij ishin nisur drejt Banjskës pas njoftimit se hyrja e fshatit ishte bllokuar, ndërsa sipas saj, ajo që i priste atje ishte një sulm i organizuar dhe i armatosur.
“Më 24 shtator të vitit 2023, në orët e para të mëngjesit, Afrim Bunjaku dhe kolegët e tij u nisën drejt Banjskës, pas njoftimit se hyrja e fshatit ishte bllokuar me dy kamionë. Ajo që i priste atje nuk ishte thjesht një incident i zakonshëm policor, por ishte një sulm terrorist i përgatitur paraprakisht nga një grup i organizuar dhe i armatosur rëndë me eksploziv, automatikë të blinduar dhe sasi të mëdha municioni”, tha Haxhiu.
Sipas Haxhiut, institucionet e Kosovës kanë paraqitur dëshmi se pjesëtarët e grupit të armatosur ishin trajnuar dhe përgatitur në Serbi, ndërsa një pjesë e madhe e armatimit, sipas saj, vinte nga Serbia.
“Institucionet tona kanë paraqitur dëshmi se pjesëtarët e atij grupi ishin trajnuar dhe përgatitur në Serbi dhe se pjesa më e madhe e armatimit vinte po ashtu prej Serbisë. Synimi nuk ishte vetëm sulmi ndaj Policisë së Kosovës, por shkëputja e një pjese të territorit të Republikës së Kosovës dhe bashkimi i saj me Serbinë. Këtë synim e ka konstatuar këtë vit edhe Gjykata Themelore në Prishtinë përmes aktgjykimit në rastin Banjska”, theksoi ajo.
Ajo ka folur edhe për përvojën e Afrim Bunjakut në Policinë e Kosovës, duke theksuar se ai kishte 22 vjet përvojë në polici dhe 16 vjet shërbim si rreshter.
“Afrim Bunjaku kishte 22 vjet përvojë në Policinë e Kosovës dhe 16 vjet si rreshter. Kur arritën te bllokada, ai nuk i la policët më të rinj të shkonin para tij, doli vetë i pari. Në atë moment shpërtheu një mjet eksploziv. Afrimi dhe polici Alban Rashiti u plagosën, ndërsa menjëherë më pas ndaj policëve u hap zjarr. Nëntoger Mirsad Kryeziu arriti ta tërhiqte Afrimin nga vendi ku kishte mbetur i plagosur”, u shpreh Haxhiu.
Haxhiu ka thënë se, pavarësisht rënies së Bunjakut, operacioni i Policisë së Kosovës vazhdoi dhe grupi i armatosur nuk arriti ta realizonte synimin e tij.
“Afrim Bunjaku ra atë mëngjes në krye të detyrës, por plani për të cilin ishte përgatitur ai sulm dështoi. Kolegët e tij vazhduan operacionin, Policia e Kosovës e mori situatën nën kontroll dhe pengoi grupin e armatosur që të merrte nën kontroll territor në veri të vendit. Përpjekja për shkëputjen dhe aneksimin e veriut dështoi falë guximit, falë profesionalizmit dhe falë vendosmërisë së Policisë së Kosovës”, theksoi ajo.
Sipas saj, 24 shtatori mbetet një datë që lidhet jo vetëm me humbjen e jetës së Afrim Bunjakut, por edhe me reagimin e institucioneve të Kosovës.
“24 shtatori është dita kur humbëm Afrim Bunjakun në krye të detyrës, por është edhe dita kur institucionet e Republikës së Kosovës i dolën zot vendit. Me guximin dhe vendosmërinë e policisë dështoi plani i Serbisë për shkëputjen e veriut dhe aneksimin e tij. Përkundër sulmit terrorist, integriteti territorial i Republikës së Kosovës mbeti i pacenuar, Kosova mbeti e tërë dhe e pandarë”, thotë ajo.
Duke folur për procesin gjyqësor lidhur me sulmin në Banjskë, Haxhiu ka përmendur aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë ndaj tre prej të akuzuarve.
“Në prill të këtij viti, Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli fajtorë në shkallë të parë tre prej të akuzuarve për sulmin terrorist në Banjskë, dy u dënuan me burgim të përjetshëm dhe i treti me 30 vjet burgim. Prandaj edhe sot i bëjmë thirrje partnerëve ndërkombëtarë që t’i bëjnë presion Serbisë që t’i dorëzojë kriminelët në Republikën e Kosovës në mënyrë që të përballen me drejtësinë”, u shpreh ajo.
Ajo ka kërkuar që përgjegjësit e tjerë të përballen me drejtësinë, duke përmendur edhe Milan Radojiçiqin.
“Sepse përgjegjësia nuk përfundon me tri dënime, kryeterroristi Milan Radojiçiq, pra personi përgjegjës për organizimin e sulmit, vazhdon të jetë i lirë në Serbi, bashkë me të tjerët të akuzuar. Kosova vazhdon të kërkojë që ata të përballen me drejtësinë.”
Në trevjetorin e sulmit, në vendin ku Afrim Bunjaku humbi jetën është vendosur edhe gurthemeli i memorialit që do t’i kushtohet policit të rënë.
“Sot është vendosur edhe gurthemeli i memorialit që do të ngrihet aty ku Afrim Bunjaku ra në krye të detyrës. Ai vend do të ruajë kujtimin e Afrimit, por edhe të vërtetën për sulmin e 24 shtatorit”, shtoi ajo.
Haxhiu ka shprehur mirënjohje për pjesëtarët e Policisë së Kosovës që morën pjesë në operacionin e 24 shtatorit 2023, duke theksuar se, sipas saj, ata mbrojtën jo vetëm kolegët e tyre, por edhe territorin dhe rendin kushtetues të Kosovës.
“Të nderuar pjesëtarë të Policisë së Kosovës, atë ditë nuk mbrojtët vetëm kolegët tuaj, mbrojtët territorin e Republikës, rendin kushtetues dhe sigurinë e qytetarëve. Me reagimin tuaj u ndal një plan që synonte ta ndryshonte me armë gjendjen në veri të vendit. Për këtë, mirënjohja i takon Afrim Bunjakut dhe secilit prej jush që ishte në detyrë atë ditë dhe që vazhdon t’i shërbejë vendit me dinjitet”, tha ajo.
Haxhiu iu drejtua familjes Bunjaku, duke e cilësuar Afrim Bunjakun si policin që doli përpara në momentin kur, sipas saj, Republika e Kosovës u sulmua.
“E nderuar familje Bunjaku, Afrim Bunjakun Kosova e kujton si policin që doli përpara kur Republika u sulmua dhe që ra duke mbrojtur vendin e vet. Më 24 shtator 2023 u bë përpjekje për ta shkëputur veriun e Kosovës dhe për ta cenuar tërësinë territoriale të vendit, por ajo përpjekje dështoi, institucionet e Republikës vepruan, Policia e Kosovës i doli zot vendit. Afrim Bunjaku ra duke i dalë pikërisht zot vendit të tij. Lavdi heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku!”, shtoi ajo.


