Janevska: Në shkolla të reja janë investuar 35 milionë euro, në infrastrukturën arsimore gjithsej 78 milionë euro

Investime prej 78 milionë eurosh në të paktën 300 objekte arsimore po realizohen përmes Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe Qeverisë me qëllim përmirësimin e kushteve të mësimdhënies dhe standardeve të studentëve, theksoi sot ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska, duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve.

“Investimet janë vërtet të mëdha, 78 milionë euro në të paktën 300 objekte”, theksoi Janevska, duke vënë në dukje se arsimi cilësor është i pamundur pa infrastrukturë të përshtatshme.

Sipas saj, që nga fillimi i mandatit janë investuar 35 milionë euro në shtatë objekte të reja shkollore në Butel, Çuçer Sandevë, Kumanovë, Çashkë dhe Tetovë, janë rikonstruuuar më shumë se 30 objekte sportive shkollore, ndërsa po vijon ndërtimi i katër sallave të reja sportive në Aerodrom, Kisella Vodë, Strugë dhe në Likovë.

“Një nga kushtet themelore për të pasur arsim cilësor është të kemi infrastrukturë të mirë arsimore, domethënë të kemi shkolla të mira, me klasa të pajisura mirë, qasje në pajisje interneti dhe internet të sigurt, të kemi qasje për fëmijët me nevoja të veçanta arsimore”, tha ministrja.

Janevska informoi se përmes dy thirrjeve të Qeverisë për investime kapitale komunave u janë ndarë edhe 35 milionë euro për realizim të 55 projekteve për ndërtim, zgjerim dhe rikonstruim të shkollave, sallave sportive dhe pishinave.

Në kuadër të përpjekjeve për vendosjen e mësimit në një ndërrim, shtoi ajo, po zgjerohen kapacitetet në 14 shkolla në disa komuna, ndërsa 15 projekte shtesë do të fillojnë në muajt e ardhshëm.

Ministrja theksoi se ka përfunduar rikonstruimi i konviktit të studentëve “Stiv Naumov”, i cili do të fillojë me punë më 1 tetor, ndërsa konvikti “Kuzman Josifovski – Pitu” duhet të përfundojë deri në fund të nëntorit.

“Konvikti studentor ‘Stiv Naumov’ ka përfunduar dhe do të fillojë me punë më 1 tetor. ‘Kuzman Josifovski-Pitu’ me siguri do të jetë gati deri në fund të nëntorit”, tha Janevska.

Ajo paralajmëroi edhe vazhdimin e investimeve në konviktet e studentëve, qendrat burimore për fëmijë me nevoja të veçanta në mësim, ndërtimin e kampusit të ri të Universitetit “Nëna Terezë”, si dhe përfundimin e objekteve të FINKI-t dhe Fakultetit për Kulturë Fizike.

“Pajtohem me kritikët tanë se konviktet studentore dhe disa nga konviktet e nxënësve, si dhe disa nga këto qendra burimesh, nuk janë vërtet adekuate dhe atë që nuk është bërë, do ta bëjmë më mirë”, tha ministrja Janevska.