Numër i pamjaftueshëm inspektorësh, probleme me digjitalizimin, parregullsi në sistemimin e punonjësve dhe dobësi në menaxhimin financiar e material, objekte ndërtimore dhe licenca të paregjistruara, rezerva të paevidentuara dhe automjete zyrtare me status të paqartë – këto janë vetëm disa nga gjetjet e raportit më të fundit të auditimit për Inspektoratin Shtetëror të Tregut. Auditimi ka konstatuar parregullsi dhe mospërputhje në punën e Inspektoratit të Tregut.
ENTI SHTETËROR I AUDITIMIT: Në vitin 2024, Inspektorati Shtetëror i Tregut ka realizuar 28.263 mbikëqyrje inspektuese, prej të cilave 21.108 të rregullta, 5.106 të jashtëzakonshme dhe 2.049 kontrolle verifikuese. Mbikëqyrjet janë kryer nga 148 inspektorë, ose vetëm 47% e gjithsej 313 vendeve të sistematizuara të punës për inspektorë.
Gjatë vitit 2024 janë miratuar 19 vendime për sistemimin e nëpunësve administrativë në pozita inspektorësh, pa u siguruar paraprakisht mjetet financiare në buxhet. Këto sistemime nuk ishin parashikuar as në Planin Vjetor të Punësimit. Nga 19 personat, 17 janë sistemuar si kandidatë për inspektorë pa licencë, ndërsa dy persona si inspektorë të licencuar, me të drejtë për shtesë në pagë.
ENTI SHTETËROR I AUDITIMIT: Përveç kësaj, pesë departamente nuk kanë drejtues, gjë që tregon nevojën për plotësimin e vendeve drejtuese të punës. Sa i përket kushteve të punës, auditimi ka konstatuar se Inspektorati Shtetëror i Tregut nuk disponon objekte për ruajtjen e sendeve të sekuestruara gjatë kryerjes së mbikëqyrjes inspektuese, deri në dorëzimin e tyre te Agjencia për Menaxhimin e Pasurisë së Sekuestruar. Kjo situatë krijon rrezik për ruajtje dhe trajtim të papërshtatshëm të sendeve, veprime subjektive, si dhe humbje të mundshme me pasoja financiare për institucionin.
Mangësi janë konstatuar edhe në menaxhimin material. Inventarizimi i mjeteve dhe detyrimeve nuk është kryer plotësisht. Në evidencën materiale nuk janë regjistruar as blerje me vlerë totale prej rreth 2,15 milionë denarësh.
Edhe pse pas kalimit të Inspektoratit në përbërje të Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës ishte parashikuar një inventarizim i jashtëzakonshëm, deri në ditën e auditimit ai nuk ishte realizuar.
Për tejkalimin e dobësive të konstatuara, auditorët rekomandojnë rritjen e burimeve njerëzore, krijimin e regjistrave elektronikë dhe një sistemi informativ për mbikëqyrjen inspektuese, përmirësimin e evidencës financiare dhe materiale, si dhe avancimin e procedurave të inspektimit.


