Sulmet në Detin e Zi – Erdogani ia tërheq vërejtjen Zelenskyt

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan i ka thënë homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, se sulmet e Rusisë dhe Ukrainës ndaj anijeve tregtare në Detin e Zi ishin të pashpjegueshme dhe se duhet të ndërmerren hapa për t’i ndaluar ato, sipas një njoftimi të zyrës së tij të enjten.

Turqia, anëtare e NATO-s, e cila ka ruajtur marrëdhënie të mira si me Moskën, ashtu edhe me Kievin që nga pushtimi në shkallë të gjerë i Ukrainës nga Rusia në vitin 2022, u ka bërë vazhdimisht thirrje palëve ndërluftuese të ndalojnë sulmet në Detin e Zi.

“Gjatë takimit, presidenti Erdogan deklaroi se Turqia ishte e gatshme të bënte gjithçka që mundet që lufta Ukrainë-Rusi të përfundojë me një paqe të qëndrueshme dhe se ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për të ringjallur negociatat e drejtpërdrejta”, ka thënë presidenca turke në një deklaratë.

“Presidenti ynë deklaroi se duhet të ndërmerret një hap lidhur me sigurinë e lundrimit në Detin e Zi, se sulmet ndaj anijeve tregtare janë të pashpjegueshme dhe se presim që palët të veprojnë me përgjegjësi”, thotë me tej deklarata.

Ankaraja zyrtare ka thënë se u ka dërguar propozime Ukrainës dhe Rusisë për ndalimin e sulmeve, disa prej të cilave kanë goditur anije në pronësi turke dhe kanë shkaktuar vdekjen e shtetasve turq, dhe se është në pritje të përgjigjes së tyre.

Turqia ka thënë se duhet të gjendet një zgjidhje në mënyrë që transporti i drithërave të mund të kryhet në mënyrë të sigurt nga rajoni.

Zelensky u kishte thënë liderëve në një samit të “Platformës së Krimesë”, të zhvilluar në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, se Kievi ishte i gatshëm për një armëpushim detar në Detin e Zi, bazuar në propozime të tilla si ato të paraqitura nga Egjipti, India dhe Turqia.