Kënga “Mora fjalë” heqet nga interneti, autori Naim Gjoshi insiston në të drejtën autoriale

Versioni origjinal i këngës së famshme, i kënduar nga Shkurte Fejza, është larguar nga të gjitha platformat pas kërkesës së autorit përmes zyrës ligjore “NewWay Consulting”.

Ka qenë vetë Gjoshi ai që ka kërkuar largimin e këngës nga çdo kanal zyrtar, fakt të cilin e ka konfirmuar përmes zyrës ligjore “NewWay Consulting” për KosovaPress. “Në cilësinë e përfaqësuesit ekskluziv të autorit z. Naim Gjoshi, çdo vepër e tij që është publikuar apo shpërndarë pa leje në YouTube, Facebook, Instagram, TikTok apo në çdo platformë tjetër online, do të trajtohet si përdorim i paautorizuar”, tha zyra ligjore.

Sipas përfaqësuesve ligjorë, të gjithë ata që dëshirojnë ta përdorin këngën duhet të sigurojnë më parë lejen përkatëse nga vetë Gjoshi. Kërkesa për heqjen e këngës vlen për çdo platformë online ku ajo është publikuar pa autorizim.

KosovaPress ka kontaktuar edhe këngëtaren Shkurte Fejza për një reagim, por nuk ka marrë përgjigje. Redaksia po përpiqet të kontaktojë edhe këngëtarin Qazim Beka, i cili i pari e këndoi atë, fillimisht me titullin “Çohu Adem”.

Ndërkohë, fansat e këngës kanë reaguar në rrjetet sociale pas largimit të saj nga platformat, duke shprehur habinë për vendimin dhe duke pritur sqarime të mëtejshme nga palët e përfshira në kontest.