Ministria e Arsimit fillimisht raportoi një diferencë shumë më të madhe në regjistrimet e klasave të para, ndërsa më vonë shifra u ul ndjeshëm. Shpjegimi lidhet me regjistrime të vonuara dhe të dhëna që nuk ishin përditësuar me kohë.
Debati për numrin e nxënësve që këtë vit hyjnë në klasën e parë po shoqërohet me shifra që ndryshojnë nga një periudhë në tjetrën. Në fillim të gushtit, ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, deklaroi se në atë moment ishin regjistruar rreth 4.900 nxënës më pak se një vit më parë. Ajo shtoi se pritej që kjo diferencë të zvogëlohej dhe të arrinte në rreth 3 mijë vetë. “Në këtë moment kemi 4.900 nxënës të klasës së parë më pak se vitin e kaluar. Regjistrimet do të vazhdojnë edhe gjatë kësaj periudhe, por numri do të arrijë më së shumti deri në 3 mijë më pak. Kjo do të thotë se me siguri do të kemi rreth 3 mijë nxënës të klasës së parë më pak se vitin e kaluar”, deklaroi ministrja në muajin gusht, përcjell KOHA.
Por disa javë më vonë, pas regjistrimeve të reja dhe përditësimit të të dhënave, vetë ministrja dha një tjetër pasqyrë në media. Sipas saj, në deklaratën e bërë në 4TV, diferenca tashmë është rreth 1.500 nxënës. Shpjegimi ishte se një pjesë e fëmijëve ishin regjistruar, por nuk ishin futur me kohë në ditarin elektronik. Kjo shpjegon ndryshimin e shifrave, por njëkohësisht ngre një pyetje të rëndësishme – pse të dhënat paraprake u përdorën për të krijuar një pasqyrë kaq alarmante, kur procesi i regjistrimit ende nuk kishte përfunduar?
Sipas të dhënave zyrtare, në vitin shkollor 2025/2026 në klasë të parë ishin regjistruar 17.921 nxënës. Në fillim të këtij viti shkollor numri ishte 14.952 nxënës, por kjo nuk ishte shifra përfundimtare. Pas regjistrimeve shtesë dhe përditësimit të sistemit, diferenca u zvogëlua ndjeshëm. Pra, 4.900 nuk ishte një numër përfundimtar i fëmijëve që mungonin, por diferenca e regjistruar në atë moment. Pikërisht për këtë arsye, komunikimi publik i kësaj shifre kërkon më shumë sqarim. Kur regjistrimet vazhdojnë dhe sistemi nuk është përditësuar plotësisht, një shifër paraprake mund të krijojë një perceptim shumë më të madh të problemit sesa gjendja reale.
Ndërkohë, rënia e numrit të nxënësve është një problem serioz dhe më i gjerë. Janevska e lidh atë kryesisht me rënien e natalitetit dhe emigrimin. Ajo përmendi faktin se në vitin 2020 kanë lindur rreth 800 fëmijë më pak se një vit më parë. Në shumë komuna numri i nxënësve është ulur ndjeshëm, ndërsa shkollat në zonat rurale po përballen me klasa gjithnjë e më të vogla. Në disa vendbanime tashmë është bërë e nevojshme bashkimi i klasave për shkak të mungesës së nxënësve, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se në vitet e ardhshme mund të lindë nevoja edhe për riorganizimin e rrjetit të shkollave dhe rishpërndarjen e kuadrit arsimor.
Brenda dekadës së fundit, shkollat fillore në vend kanë humbur rreth 30 mijë nxënës, mbi 22 mijë nxënës më pak në shkollat e mesme dhe mbi 10 mijë studentë ulje. Në reduktimin drastik kanë kontribuar sa migrimi, po aq edhe shifrat gjithnjë e në rënie të lindjeve në dekadat e fundit. Në këtë interval kohor, jashtë vendit kanë lindur 48.658 fëmijë, që përfaqëson lindshmërinë dyvjeçare të vendit si dhe 19.5 për qind nga numri i përgjithshëm i lindjeve (250.061 fëmijë) në Maqedoninë e Veriut.


