Konjufca takohet me ministrin e Jashtëm të Xhibutit në Nju Jork

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, është takuar në Nju Jork me ministrin e Jashtëm të Xhibutit, Abdoulkader Houssein Omar.

Takimi është zhvilluar në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ku është diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Xhibutit.

Konjufca ka bërë të ditur se gjatë takimit është biseduar për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, zgjerimin e bashkëpunimit praktik, si dhe koordinimin më të afërt në forumet shumëpalëshe.

Përmes një postimi në platformën X, Konjufca ka thënë se Kosova e vlerëson partneritetin me Xhibutin, duke theksuar synimin për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

Takimi u zhvillua në kuadër të angazhimeve të delegacionit të Kosovës gjatë qëndrimit në Nju Jork për punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.