Gaza, mësim mes gërmadhash! Nxënësit rikthehen në mësimin fizik pas gati tre vitesh ndërprerjeje

Pas gati tre vitesh, nxënësit në Gaza janë rikthyer në mësimin fizik, por në kushte të jashtëzakonshme. Sipas UNICEF, 98 për qind e shkollave janë dëmtuar ose shkatërruar gjatë luftës, ndërsa 660 mijë nxënës kanë humbur mundësinë për të ndjekur rregullisht mësimin fizik. Për vitin e ri akademik, qindra mijëra fëmijë po mësojnë në tenda, ndërtesa të dëmtuara dhe qendra të improvizuara.

Nxënësit në Gaza janë rikthyer në mësimin fizik për herë të parë pas gati 3 vitesh, por rikthimi po bëhet në kushte të jashtëzakonshme.

Sipas UNICEF, 98 për qind e shkollave në Gaza janë dëmtuar ose shkatërruar gjatë luftës. Zyrtarët e arsimit thonë se rreth 660 mijë nxënës kanë humbur për vite me radhë mundësinë për të ndjekur rregullisht mësimin fizik.

Rihapja e shkollave për vitin akademik 2026-2027 është bërë me mbështetjen e organizatave ndërkombëtare dhe vendase, qe kanë ngritur dhjetëra qendra të përkohshme mësimore.

Qindra mijëra fëmijë kanë nisur vitin e ri shkollor në ndërtesa të dëmtuara, shkolla të improvizuara dhe tenda, ndërsa shumë prej tyre nuk kanë mjete baze shkollore.

Këto shkolla janë ndërtuar me tenda, mbulesa plastike, llamarina dhe dru. Në disa prej tyre klasat janë ngritur mbi tokë me rërë dhe kanë vetëm disa dyshekë dhe një dërrasë të zezë, ndërsa në zona të tjera ndërtesat shkollore përdoren edhe si strehimore për familjet e zhvendosura.

Rreth 540 mijë nxënës pritet të ndjekin mësimin fizik këtë vit, ndërsa mësimi online do të vazhdojë për ata që nuk mund të ndjekin mësimin në klasë ose që janë larguar nga Gaza.

Për shumë prej tyre, rikthimi në shkollë vjen pas një periudhe gjatë së cilës mësimi është zhvilluar kryesisht përmes telefonave. Nxënësit thonë se janë të lumtur të rikthehen pranë mësuesve dhe shokëve, por përballen dhe me frikën që vazhdon të shoqërojë jetën e përditshme. Një 14-vjeçar u shpreh per Reuters se dikur shkonte në shkollë me gëzim, ndërsa tani ndjen frikë nga plumbat, raketat dhe sulmet.

Edhe furnizimet shkollore janë bërë një problem më vete. Tregtarët thonë se kufizimet mbi importet kanë pakësuar furnizimet dhe kanë rritur ndjeshëm çmimet. Ashtu sikurse një fletore para luftës kushtonte 3 shekelë, tani shitet për 15 shekelë, duke e bërë blerjen e materialeve të vështirë.

Sipas zyrtarëve të arsimit në Gaza, lufta ka shkaktuar humbje të mëdha mes nxënësve dhe punonjësve të arsimit. Ata thonë se rreth 22 mijë nxënës dhe më shumë se 770 punonjës të arsimit, përfshirë 532 mësues, janë vrarë gjatë konfliktit.