Në Çair po ndërtohet bulevardi “Mit’hat Frashëri”, do të ketë katër korsi

Nga Komuna e Çairit thonë se po vazhdojnë me intensitet të lartë punimet infrastrukturore që kanë për qëllim përmirësimin e qarkullimit dhe modernizimin e rrjetit rrugor.

Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka publikuar pamje nga punimet në rrugën “Mit’hat Frashëri”, një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore në komunë. Rruga me gjatësi prej rreth 1.5 kilometrash, nga dy korsi po zgjerohet në katër korsi, duke u shndërruar në një bulevard modern që do të mundësojë qarkullim më të lehtë dhe më efikas.

Projekti krijon një lidhje të rëndësishme ndërmjet bulevardit “Sllovenia” dhe rrugës “Xhon Kenedi”, duke përmirësuar ndjeshëm qarkullimin dhe lidhjen ndërmjet pjesëve të ndryshme të Çairit.

Ndërkohë, po përfundojnë punimet në rrugën “Ferid Murati”, vazhdojnë punimet në “Mit’hat Frashëri”, ndërsa paralelisht po finalizohet dokumentacioni i nevojshëm për fillimin e punimeve edhe në rrugën “Cvetan Dimov”.