Kryetari i Bashkisë së New York sulmon përsëri Netanyahun: Ai duhet të arrestohet kur të vijë në SHBA

Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Zohran Mamdani, ka përsëritur kritikat e tij ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, vetëm pak kohë pas takimit me presidentin amerikan Donald Trump në Nju Jork.

Në një intervistë për CNN, Mamdani e cilësoi Netanyahun si “kriminel lufte” dhe tha se ai duhet të përballet me përgjegjësi për luftën në Gaza.

“Sa i përket Benjamin Netanyahut, e kam përshkruar atë siç besoj se është, një kriminel lufte dhe arkitektin e një gjenocidi të tmerrshëm ndaj popullit palestinez”, deklaroi Mamdani.

Kryebashkiaku i Nju Jorkut tha se çështja ishte diskutuar edhe gjatë takimit me Trump në Gracie Mansion. Mamdani, i cili për muaj të tërë kishte deklaruar se do të arrestonte Netanyahun nëse ai do të vizitonte Nju Jorkun, tashmë ka pranuar se nuk ka autoritet ligjor për ta bërë një gjë të tillë.

Duke iu referuar urdhrit të arrestit të lëshuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale ndaj Netanyahut, Mamdani tha se ai duhet të respektohet.

“Mendoj se kjo është diçka që duhet respektuar, sepse ajo që duam të shohim – dhe kjo është ajo për të cilën folëm sot – është besnikëria ndaj politikës sonë dhe besnikëria ndaj llogaridhënies”, tha ai.

“Gjykata Ndërkombëtare Penale e konsideron dikë të denjë për arrestim për shkelje të këtyre ligjeve, atëherë kush jemi ne që të themi se dikush duhet të jetë mbi ta? Unë besoj qartë se të gjithë duhet të mbahen përgjegjës”, shtoi Mamdani.

Netanyahu pritet të mbajë fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara të enjten.

Ndërkohë, takimi mes Trump dhe Mamdanit u konsiderua i papritur, duke pasur parasysh dallimet e forta politike që dy politikanët kanë shfaqur më herët.

Gjatë takimit, ata diskutuan ndër të tjera për politikat e imigracionit dhe një program të madh strehimi prej disa miliardë dollarësh për Nju Jorkun.

Trump u shfaq pozitiv ndaj kryebashkiakut të ri të qytetit, duke i thënë gjatë një konference për shtyp se shpresonte që ai të bëhej një “kryetar bashkie i shkëlqyer” dhe se kishte bërë një fillim të mirë.

Nga ana e tij, Mamdani tha se e vlerësonte angazhimin e presidentit amerikan ndaj Nju Jorkut, pavarësisht dallimeve mes tyre.

“Ne e vlerësojmë angazhimin e presidentit ndaj qytetit. Të dy kemi folur për qasje dhe bindje shumë të ndryshme, por unë do të vazhdoj të zhvilloj biseda me presidentin dhe, sinqerisht, me këdo që mund t’u ofrojë lehtësim banorëve të këtij qyteti”, u shpreh ai.