LSDM-ja paraqiti propozim-ligjin për mbështetje financiare të bujqve

Grupi i deputetëve të LSDM-së dhe koalicionit sot ka paraqitur Propozim-ligjin për mbështetje financiare për uljen e pasojave të krizës ekonomike në vitin 2026 mbi prodhimin dhe blerjen e produkteve bujqësore.

“Gjatë periudhës së kaluar u takuam me qindra buqj, njerëz që punojmë me shumë mundim nga mëngjesi deri në mbrëmje dhe i dëgjuam problemet e tyre. Ishim atje në terren, te vreshtarët, blegtorët, prodhuesit e qumështit, prodhuesit e orizit, prodhuesit e specave… Të gjithë përballen me të njejtin problem. Së pari janë të zhgënjyer sepse askush nga pushteti nuk u kushton kurrfarë vëmendje. Më tej, janë shumë të shqetësuar dhe të frikësuar, sepse edhe pse punojnë nga mëngjesi deri në mbrëmje, kanë investuar paratë e fundit bga buxheti familjar, disa prej tyre madje kanë marrë edhe kredi për të blerë materialet e nevojshme, që këtë vit, në këto sezone, të kenë të korra nga ajo që punojnë, dhe tani nuk ka fare blerje. Rendimenti po kalbet në ara. Ajo sasi e vogël e prodhimit që ata prodhojnë dhe që është blerë, është me çmime tmerrësisht të ulëta”, tha lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, në një konferencë për mediat në Kuvend.

Për këtë arsye, theksoi ai, LSDM-ja së bashku me koalicionin e kanë paraqitur këtë propozim-ligj, me qëllim që të marrin ndihmë të drejtpërdrejtë dhe në kohë bujqit më të prekur.

Me ligjin, shtoi ai, përfshihen edhe prodhuesit e orizit, me ç’rast ata propozojnë 10 denarë për kilogram oriz të prodhuar dhe të shitur te një blerës i regjistruar në vitin 2026.

“Përfitues do të jenë ekonomitë bujqësore të regjistruara në Regjistrin e vetëm të ekonomive bujqësore. Kjo ndihmë do të jetë shtesë ndaj pagesave të rregullta direkte dhe masave të tjera për vitin 2026, ndërsa duhet të paguhet nga Agjencia e pagesave më së voni deri më 31 dhjetor. Me këto para, në fakt, bujqit do t’i planifikojnë hapat e ardhshëm për sezonin e ardhshëm, përkatësisht për vitin 2027. Kjo është ajo që nevojitet tani: të mos shitet toka dhe uji i Maqedonisë për interesa të huaja dhe për fitime të huaja. Tokën e Maqedonisë duhet ta punojnë bujqit e Maqedonisë, ndërsa uji duhet të përdoret fillimisht për një jetë dinjitoze, e më pas për ujitjen e tokës”, theksoi Filipçe.

Ai u bëri thirrje deputetëve të pushtetit, që këtë herë t’i mbështesin këto masa dhe ta mbështesin këtë propozim-ligj, sepse, shtoi ai, vjen në një moment jashtëzakonisht kritik dhe kjo nuk është çështje e dallimeve politike mes pushtetit dhe opozitës, por çështje e mbijetesës së mijëra familjeve që jetojnë nga bujqësia.