Kryeministri i Lituanisë, Mindaugas Sinkevičius, ka deklaruar se vendi ka përgatitur plane evakuimi në rast të një sulmi të mundshëm nga Rusia, duke theksuar se autoritetet po përgatiten për skenarë të ndryshëm të përshkallëzimit.
Në një intervistë për BBC, Sinkevičius tha se qytetarët lituanezë ndihen të kërcënuar nga Rusia, veçanërisht për shkak të incidenteve me dronë që kanë hyrë në hapësirën ajrore të vendit.
Sipas tij, autoritetet po hartojnë plane që përfshijnë edhe evakuimin e personave të moshuar nga qytetet, si dhe masa për të shmangur bllokimet e trafikut në rast të një situate emergjente.
“Po mendojmë për një sërë skenarësh. Jo të gjithë po diskutohen publikisht. Ne përballemi me kërcënime konkrete. Jo çdo ditë, por po i përjetojmë dhe ky është një realitet për ne”, deklaroi kryeministri lituanez.
Sinkevičius kërkoi gjithashtu një angazhim më të madh të Britanisë së Madhe në çështjet e mbrojtjes, duke theksuar pozicionin gjeografik të Lituanisë dhe afërsinë e saj me Rusinë.
Lituania është anëtare e NATO-s që prej vitit 2004 dhe kufizohet me enklavën ruse të Kaliningradit. Sipas nenit 5 të Traktatit të NATO-s, një sulm i armatosur ndaj një vendi anëtar konsiderohet sulm ndaj të gjithë aleancës.
Vendet baltike kanë rritur masat e sigurisë që prej nisjes së pushtimit të plotë rus të Ukrainës në vitin 2022. Në këtë periudhë janë raportuar edhe një numër incidentesh me dronë në hapësirën ajrore të vendeve të rajonit.
Kryeministri lituanez theksoi se vendi i tij nuk synon të dorëzohet përballë kërcënimeve dhe se, në rast të një sulmi, do të kundërpërgjigjet.


