Zyrtari i Aleancës, Daut Haradinaj, ka reaguar lidhur me situatën pas vendimit të Gjykatës Speciale, duke bërë thirrje për tejkalimin e dallimeve politike dhe për një qasje të përbashkët institucionale.
Haradinaj ka thënë se përballja me atë që ai e cilëson si gjykatë politike kërkon që të gjithë faktorët politikë të dalin mbi interesat dhe përplasjet e përditshme.
Sipas tij, nuk mjafton vetëm një strategji shtetërore, por nevojitet një qasje gjithëkombëtare, në koordinim me faktorët vendorë, Shqipërinë dhe aleatët ndërkombëtarë.
“Strategjia ndaj kësaj gjykate politike u kërkon të gjithëve, pashmangshëm, të dalin mbi politikat ditore, të brendshme e banale.
Në këtë pikë nuk mjafton vetëm një strategji shtetërore, e cila do të duhej të ishte tashmë e padiskutueshme. Kërkohet një qasje gjithëkombëtare. Duhet bashkërendim i hapave të mëtejshëm me secilin faktor vendor dhe me aleatët ndërkombëtarë. Nuk është momenti për të hedhur topin nga njëra palë te tjetra, as për t’ia kaluar përgjegjësinë njëri-tjetrit.
Populli është në sheshe. Politika duhet të ulet në tavolinë. URGJENTISHT! Dhe jo të ulen skutave për pushtet, por për ide dhe reagime shtetërore, bashkë me Shqipërinë dhe aleatët tanë”, ka thënë Haradinaj.


