Sipas një raportimi ekskluziv të The New York Times, presidenti amerikan Donald Trump vendosi në momentin e fundit të mos urdhërojë sulme amerikane kundër Houthive në Jemen, edhe pse Pentagoni kishte përgatitur një operacion ushtarak dhe objektivat ishin përcaktuar. Sipas burimeve anonime të administratës amerikane të cituara nga gazeta, vendimi erdhi pas një serie zhvillimesh që e vendosën presidentin amerikan përballë një zgjedhjeje të vështirë: të ndërhynte ushtarakisht në mbështetje të Arabisë Saudite apo të shmangte hapjen e një fronti të ri në një Lindje të Mesme tashmë të përfshirë nga lufta me Iranin.
Sipas raportimit, princi saudit Mohammed bin Salman i kishte kërkuar Trumpit ndërhyrje kundër avancimit të Houthive. Trump fillimisht kishte refuzuar, por më pas, pas një tjetër telefonate me liderin saudit, thuhet se i kërkoi Pentagonit të përgatitej për sulm.
Përgatitjet shkuan deri në një fazë të avancuar. Lista e objektivave ishte miratuar dhe avionët ishin përgatitur me bomba. Edhe Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth u kthye në Uashington më herët sesa ishte planifikuar, ndërsa Trump u kthye nga Camp David. Të gjitha këto sinjalizonin se një operacion ushtarak mund të ishte shumë pranë. Por të dielën, rreth mesditës, Trump ndryshoi përsëri qëndrim dhe vendosi që sulmet të mos kryheshin.
Një nga arsyet kryesore lidhet me rrezikun e hapjes së një tjetër fronti. Administrata amerikane është tashmë e përfshirë në konfliktin me Iranin dhe një fushatë e re kundër Houthive mund ta komplikonte më tej situatën në rajon. Për Trumpin, përballja me Houthit nuk do të ishte thjesht një operacion i kufizuar në Jemen, pasi grupi është i lidhur ngushtë me zhvillimet më të gjera të konfliktit rajonal.
Një tjetër element është komunikimi i drejtpërdrejtë mes SHBA-ve dhe Houthi-t. Sipas raportimit, zyrtarët amerikanë janë takuar me përfaqësues të grupit më 12 dhe 13 shtator për të konfirmuar një mirëkuptim që mbron anijet amerikane që kalojnë nëpër ngushticën Bab el-Mandeb. Houthit kanë deklaruar se sulmet e tyre do të përqendrohen te sauditët dhe jo te amerikanët. Kjo e vendos Trumpin përballë një dileme: ndërhyrja amerikane mund të ndihmonte Arabinë Saudite, por njëkohësisht mund të prishte një ekuilibër të brishtë që deri tani ka mbajtur anijet amerikane jashtë sulmeve të Houthi-ve.
Ekziston edhe përvoja e vitit 2025. Atëherë SHBA-të bombarduan pozicionet Houthi për më shumë se 50 ditë, duke goditur radarë, sisteme të mbrojtjes ajrore, raketa balistike, qendra për prodhimin e dronëve dhe objekte të tjera ushtarake. Megjithatë, Houthit vazhduan të kryenin sulme dhe operacioni amerikan pati një kosto shumë të lartë në municione dhe armë.
Kjo përvojë mund të ketë ndikuar në llogaritjet e administratës: një fushatë e re bombardimesh nuk do të garantonte domosdoshmërisht eliminimin e kërcënimit Houthi dhe mund të kërkonte një angazhim më të gjatë e më të kushtueshëm. Në deklaratat e tij për Fox News, Trump tha se ishte në “modalitet vendimmarrjeje” lidhur me luftën me Iranin dhe konfirmoi se SHBA-të vazhdojnë të komunikojnë me Houthit. Ai gjithashtu vuri në dukje se deri tani grupi ka pranuar të mos sulmojë amerikanët.
Pra, prapaskena e vendimit nuk duket të jetë vetëm çështje e një sulmi të anuluar. Bëhet fjalë për një përllogaritje më të gjerë strategjike: si të ruhet mbështetja e Arabisë Saudite pa futur SHBA-të në një konflikt tjetër, si të mbahet i hapur komunikimi me Houthit dhe si të shmanget përsëritja e një fushate ushtarake, që mund të kërkojë shumë burime, pa dhënë një rezultat të qartë.


