Më shumë se 20 produkte të ndaluara për zbardhjen e lëkurës, që përmbajnë merkur, gjenden ende në shitje në platformat Amazon, Temu dhe TikTok, pavarësisht përpjekjeve prej vitesh për t’i larguar nga tregu. Merkuri u ndalua në produktet kozmetike përmes Konventës së Minamatës të vitit 2013, të cilën e kanë miratuar më shumë se 150 shtete. Ndalimi erdhi për shkak të rrezikut që kjo substancë paraqet për veshkat, trurin dhe sistemin nervor.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), nuk ekziston asnjë nivel ekspozimi ndaj merkurit që mund të konsiderohet i sigurt. Megjithatë, zbardhja e lëkurës mbetet një industri me vlerë miliarda dollarë, veçanërisht e përhapur në pjesë të Azisë, Afrikës dhe Karaibeve, ku standardet estetike janë lidhur prej kohësh me preferencën për një nuancë më të çelët të lëkurës.
MERKURI, I NDALUAR, POR ENDE I KËRKUAR
Merkuri vazhdon të përdoret ilegalisht sepse jep rezultate shumë më shpejt se përbërësit e lejuar, si acidi kojik dhe arbutina, ndërsa kostoja e prodhimit është më e ulët. Kjo e bën atë tërheqës si për shitësit, ashtu edhe për konsumatorët që kërkojnë ndryshime të shpejta në ngjyrën e lëkurës, pavarësisht faktit se pasojat shëndetësore mund të jenë të pakthyeshme.
Disa shitës online janë bërë gjithnjë e më të sofistikuar në fshehjen e përbërësve të vërtetë të produkteve. Produktet e larguara nga platformat shpesh rishfaqen me emra të tjerë ose përmes shitësve të rinj. Në Shtetet e Bashkuara, ligji lejon vetëm sasi shumë të vogla të merkurit në produktet kozmetike, praktikisht në nivele që nuk konsiderohen të rrezikshme.
Megjithatë, shumë prej produkteve ilegale përmbajnë nga 10 deri në 100 mijë miligramë merkur për litër, sipas Winston Morgan, profesor i toksikologjisë në Universitetin e Londrës Lindore. Zyra Britanike për Sigurinë e Produkteve dhe Standardet, si dhe Administrata Amerikane për Ushqimin dhe Barnat (FDA), kanë raportuar publikisht produkte të testuara që rezultuan pozitive për nivele të tilla të merkurit.
PLATFORMAT THONË SE PO I LARGOJNË PRODUKTET
Reuters ka raportuar se asnjë nga prodhuesit e kontaktuar nuk iu përgjigj kërkesave për koment. Ndërkaq, gjigantët e tregtisë elektronike deklaruan se ndalojnë shitjen e këtyre produkteve dhe po ndërmarrin hapa për t’i larguar nga platformat e tyre. Megjithatë, deri më 1 shtator, shumica e produkteve të identifikuara ishin ende të listuara në disa prej këtyre platformave.
Amazon tha se ka “kontrolle proaktive” për verifikimin e shitësve dhe kryen testime laboratorike para listimit të produkteve. Kompania shtoi se po pezullon edhe “shitësit evazivë”. TikTok tha se po largon produktet që shkelin rregullat e saj kundër përmbajtjeve që synojnë zbardhjen e lëkurës. Ndërsa Temu deklaroi se do t’i heqë listimet pas rishikimit të tyre.
AMAZON PËRBALLET ME NJË SFIDË TË VEÇANTË
Sfida mbetet veçanërisht e madhe për Amazon-in. Vitin e kaluar, kompania arriti një marrëveshje për zgjidhjen e një padie në Kaliforni që lidhej pikërisht me këto produkte. Rachel Doughty, avokate, tha për Reuters se një pjesë e problemit lidhet me vetë modelet e biznesit të platformave online, të cilat prej kohësh janë mbrojtur me argumentin se janë vetëm ndërmjetëse dhe nuk janë përgjegjëse për shitësit e palëve të treta.
FDA-ja amerikane e ka cilësuar këtë çështje si “një nga prioritetet kryesore” të agjencisë. Ndërkaq, OBSH-ja ka bërë thirrje për më shumë koordinim ndërkombëtar për të parandaluar shitjen dhe qarkullimin e produkteve kozmetike që përmbajnë nivele të rrezikshme të merkurit.


