Afrim Gashi kryeson dy takime në Kuvend: Fokus te transparenca dhe forcimi institucional

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka njoftuar se sot ka kryesuar dy takime pune kushtuar avancimit të punës dhe forcimit të kapaciteteve institucionale të Kuvendit.

“Sot në Kuvend kryesova dy takime pune kushtuar avancimit të punës, transparencës dhe kapaciteteve institucionale të legjislativit.

Në mbledhjen e shtatë të Këshillit Drejtues të Programit për Mbështetje Parlamentare, shqyrtuam zbatimin e deritanishëm të Programit dhe aktivitetet e ardhshme, me qëllim forcimin e vazhdueshëm të kapaciteteve dhe efikasitetit të Kuvendit.

Njëkohësisht, në takimin e Grupit të punës për Planin aksional të Kuvendit në kuadër të Partneritetit për Qeverisje të Hapur, miratuam Propozim-planin aksional për periudhën 2027–2029. Përmes tij vazhdojmë të ndërtojmë një Kuvend më të hapur, më transparent dhe më të përgjegjshëm, në të cilin bashkëpunimi me shoqërinë civile zë një vend të rëndësishëm.

Besoj se përmes partneritetit, dialogut të hapur dhe aktiviteteve konkrete mund të vazhdojmë ta avancojmë punën e Kuvendit dhe ta forcojmë besimin e qytetarëve në institucionet”, ka shkruar Gashi.