Një aksion i madh policor është duke u zhvilluar në Shkup – Çair, Tetovë dhe Gjevgjeli, me qëllim zbërthimin e një grupi kriminal të dyshuar për kontrabandë dhe tregti të paligjshme me ilaçe, medikamente dhe suplemente, si dhe për vepra penale korruptive.
Sipas informacioneve të para dhe jozyrtare, 6 persona janë arrestuar, ndërsa po kërkohen edhe disa të tjerë. Mes të dyshuarve raportohet se ka edhe persona të punësuar në Drejtorinë e Doganave.
Policia po kryen kontrolle në më shumë se 10 lokacione në qytetet e përmendura.
Në Shkup dhe Tetovë, gjatë kontrolleve në subjekte juridike, është zbuluar një magazinë me lloje të ndryshme të barnave mjekësore, si dhe një makinë për ekstraktimin e vajit.
Aksioni po zhvillohet nga Departamenti për Luftimin e Krimit të Organizuar pranë Byrosë së Sigurisë Publike – MPB, mbi dyshimet për kontrabandë, shkelje të të drejtave të pronësisë industriale, dhënie dhe marrje ryshfeti dhe pastrim parash.
(News 24)


