Hoti kërkon mbledhjen urgjente të Kuvendit pas aktgjykimit të Speciales

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka kërkuar që Kuvendi i Kosovës të mblidhet urgjentisht për të diskutuar lidhur me aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka thënë se kanë kaluar gjashtë ditë nga aktgjykimi dhe se, sipas tij, ende nuk është zhvilluar një debat institucional në Kuvend për këtë çështje.

Hoti ka theksuar se pavarësia e sistemit gjyqësor duhet të respektohet, por ka kërkuar që Kuvendi dhe Qeveria të kenë një qëndrim institucional ndaj aktgjykimit, të cilin e ka cilësuar si vendim të shkallës së parë dhe jo përfundimtar.

Ai ka propozuar që Kuvendi të miratojë një rezolutë të re për angazhimin shtetëror të Kosovës gjatë procesit të shqyrtimit në shkallën e dytë.

“Duke respektuar plotësisht pavarësinë e sistemit gjyqësor, Kuvendi i Kosovës dhe Qeveria duhet të kenë qëndrim institucional ndaj këtij aktgjykimi, i cili është i shkallës së parë dhe, rrjedhimisht, nuk është përfundimtar. Kuvendi i Kosovës duhet të miratojë një rezolutë të re për angazhimin shtetëror të Republikës së Kosovës gjatë procesit të shqyrtimit në shkallën e dytë”, ka shkruar Hoti, njofton Klankosova.tv.

Sipas Hotit, institucionet duhet të kërkojnë nga Qeveria një mobilizim të plotë diplomatik me aleatët ndërkombëtarë dhe që procesi në shkallën e dytë të jetë gjithëpërfshirës dhe në përputhje me standardet e drejtësisë.

“Kuvendi duhet të kërkojë nga Qeveria mobilizim të plotë diplomatik me aleatët ndërkombëtarë që kanë kërkuar dhe mbështetur themelimin e Dhomave të Specializuara, në mënyrë shqyrtimi në shkallën e dytë të jetë gjithëpërfshirës dhe të respektojë plotësisht standardet e drejtësisë”.

“Populli i Kosovës nuk është duke heshtur. Ai po proteston natë e ditë në sheshin e Prishtinës. Nuk duhet të heshtin as institucionet që kanë mandat të kujdesen për ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e çdo akti që lëshohet NË EMËR TË POPULLIT TË KOSOVËS. Kuvendi duhet të mblidhet urgjentisht dhe të obligojë Qeveria të veprojë. Shteti i Kosovës duhe të flasë qartë dhe me një zë në mbrojtje të dinjitetin e luftës çlirimtare dhe të interesit shtetëror të Kosovës, duke respektuar njëkohësisht pavarësinë e organeve të drejtësisë”, ka shkruar ai, transmeton Klankosova.tv.

Postimi i plotë: