Bujar Osmani, nënkryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim dhe ish-ministër i Punëve të Jashtme i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Në shtator zhvilloi një vizitë pune në Tirolin e Jugut, me fokus te modeli i autonomisë, bashkëqeverisjes, mbrojtjes së komuniteteve dhe barazisë gjuhësore.
Gjatë vizitës, Osmani u njoh nga afër me mënyrën se si institucionet e Tirolit të Jugut kanë ndërtuar mekanizma konkretë për mbrojtjen e të drejtave gjuhësore, përfaqësimin proporcional dhe pjesëmarrjen e komuniteteve në jetën publike dhe institucionale.
Në kuadër të vizitës, Osmani vizitoi Zyrën për të Drejtat Gjuhësore dhe të Drejtat e Njeriut pranë Parlamentit të Tirolit të Jugut, ku u zhvilluan diskutime mbi mekanizmat institucionalë dhe juridikë që garantojnë përdorimin e gjuhëve, mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve dhe zbatimin e parimeve të barazisë.
Osmani zhvilloi gjithashtu takim me Angelo Gennaccaro, Kryetar i Parlamentit të Tirolit të Jugut. Në fokus të takimit ishte modeli i bashkëjetesës së ndërtuar në Tirolin e Jugut dhe garancitë institucionale për komunitetet gjuhësore. Gennaccaro prezantoi veçoritë institucionale të këtij modeli dhe shprehu gatishmërinë për vazhdimin e kontakteve dhe shkëmbimin e përvojave.
Një pjesë e rëndësishme e vizitës ishte edhe Eurac Research, qendër kërkimore me bazë në Bolzano, ku Osmani zhvilloi takime me ekspertë dhe studiues të fushës së autonomisë, të drejtave të minoriteteve dhe qeverisjes. Në fokus ishte analiza e legjislacionit dhe mekanizmave që qëndrojnë pas modelit të Tirolit të Jugut, si dhe mënyra se si këto mekanizma janë zhvilluar dhe funksionojnë në praktikë. Qendra për Autonomy Experience në Eurac Research merret në mënyrë të veçantë me autonominë e Tirolit të Jugut, mbrojtjen e minoriteteve dhe modelet e qeverisjes dhe përfaqësimit.
“Tiroli i Jugut është një nga modelet më të konsoliduara evropiane të autonomisë, bashkëqeverisjes dhe barazisë gjuhësore. Ajo që është veçanërisht e rëndësishme është se këto parime nuk mbeten vetëm në nivel politik, por janë të mbështetura në garanci kushtetuese, ligjore dhe institucionale,” tha Osmani.
Sipas Osmanit, përvoja e Tirolit të Jugut është me rëndësi të veçantë për Maqedoninë e Veriut, jo si model që duhet kopjuar mekanikisht, por si përvojë evropiane nga e cila mund të nxirren mësime për forcimin e mekanizmave të bashkëjetesës, barazisë dhe pjesëmarrjes së komuniteteve.
“Marrëveshja Kornizë e Ohrit i dha Maqedonisë së Veriut një arkitekturë të rëndësishme për bashkëjetesën ndëretnike. Përvoja e Tirolit të Jugut tregon se pa institucione të forta, zbatim konsekuent të ligjit dhe mekanizma të qartë të garantimit të të drejtave, parimet e bashkëjetesës mbeten të pambrojtura. Prandaj, detyra jonë është ta mbrojmë dhe ta forcojmë këtë arkitekturë duke e çuar përpara në përputhje me standardet evropiane,” theksoi Osmani.
Vizita u zhvillua në kuadër të interesimit për modele evropiane të menaxhimit të diversitetit dhe përvojave institucionale që mund të kontribuojnë në forcimin e stabilitetit, barazisë dhe kohezionit në Maqedoninë e Veriut.


