Tyson Fury dhe Anthony Joshua drejt përballjes së madhe, zbulohet data e duelit

Tyson Fury dhe Anthony Joshua pritet të përballen në një nga duelet më të mëdha të boksit britanik.

Sipas raportimeve nga mediat britanike, dy ish-kampionët e botës kanë arritur marrëveshje për një përballje që pritet të zhvillohet më 11 dhjetor në Kardif, në “Principality Stadium”.

Edhe pse lajmi ende nuk është zyrtarizuar, palët thuhet se kanë gjetur gjuhën e përbashkët për duelin shumë të përfolur mes dy britanikëve.

Përballja pritet të zhvillohet rreth orës 02:00 pas mesnate, në mënyrë që të përshtatet edhe me audiencën amerikane. Organizatorët presin që të shiten mbi 80 mijë bileta.

Fury, me bilanc prej 35 fitoreve, dy humbjeve dhe një barazimi, dhe Joshua, me 30 fitore e katër humbje, kanë diskutuar edhe datat 28 nëntor dhe 4 dhjetor, por në fund është zgjedhur 11 dhjetori.

Palët pritet të përfundojnë edhe procedurat burokratike para se dueli të zyrtarizohet.