Drejtori i NP “Hekurudhat – Infrastruktura”, Sinisha Ivanovski, njoftoi se në aksin hekurudhor nga Bellakovca drejt Kriva Pallankës po ndërtohet ura më e gjatë, me gjatësi prej 194 metrash. Ajo është pjesë e linjës hekurudhore që duhet ta lidhë Maqedoninë e Veriut me Bullgarinë.
“Aktualisht po punohet me intensitet të shtuar në ndërtimin e urës numër 7, e cila është e gjatë 194 metra. Kjo është njëra nga tri urat ende të pandërtuara, nga gjithsej 29 ura”, deklaroi Ivanovski.
Paralelisht po prodhohen edhe elementet e betonit të nevojshme për sanimin e 26 urave të ndërtuara pjesërisht gjatë viteve 1990.
Në total duhet të prodhohen 352 elemente betoni. Deri tani janë përfunduar 71, ndërsa ritmi i prodhimit është rreth 10 elemente në javë.
Progresi i përgjithshëm i projektit aktualisht është rreth 40 për qind, ndërsa synimi është që deri në fund të këtij viti realizimi të arrijë në 50 për qind.
“Do të vazhdojmë me ritëm të përshpejtuar deri në përfundimin e këtij projekti kapital të infrastrukturës”, deklaroi Ivanovski.


