“Krerëve të UÇK, mund t’u falet dënimi nga Presidenti i Kosovës”, analisti politik: E ka të drejtën, por…

Analisti politik, Melaim Koci, ishte i ftuar në emisionin “Breaking me Fiori Dardha, ku komentoi dënimin e katër ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi nga Gjykata Speciale në Hagë.

Sipas Kocit, Presidenti ose Presidentja e Kosovës ka të drejtën e faljes ndaj të dënuarve, duke qenë se Dhomat e Specializuara i përkasin Kosovës.

“Kjo ka bazë sepse Dhomat e Specializuara janë të Kosovës dhe Presidenti ose Presidentja e Kosovës e ka të drejtën e faljes dhe madje edhe pa shpjegim.  Unë mendoj se është një nga mundësitë, por po them se kjo nuk guxon të bëhet në mënyrë të njëanshme, pa konsultim dhe pa bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara dhe Brukselin”, tha analisti politik.

Fjala e plotë e Melaim Kocit:

Unë mendoj se ndërmarrjes së ardhshme eventuale të Dhomave të Specializuara do t’u paraprijnë veprime që do t’a pengojnë atë në synimet e saj të mëtejshme. Cilat janë ato? Tani janë në qarkullim disa mundësi. Një është kërkesa për zhbërjen e saj në Kuvendin e Kosovës. Unë jam pesimist, nuk besoj se mund të bëhet. Çdo gjë që do të bëhet duhet të bëhet në rrugë institucionale. Në Parlamentin e Kosovës duhen 2/3 e votave për t’a zhbërë dhe 2/3 e pakicave. Pra prej 20 serbëve dhe jo serbëve duhen 2/3 e tyre. Që i bie pakicat jo serbe e votojnë, por duhet pastaj katër votat e serbëve që është e pamundur të sigurohen.

Ka edhe mundësi të tjera, por të gjitha mendoj se duhen të bëhen në koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pikënisja duhet të jetë qëndrimi Departamentit dhe jo zërat anash.

Unë parimisht mendoj se duhet të respektohet qëndrimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të kontaktohet me ta dhe të komunikohet.

Mbrëmë për shembull, ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, ka ngritur një tezë që deri më tani nuk është përmendur. Ai ka thënë se nëse Dhomat e Specializuara janë të Kosovës, dhe ato vërtet janë të Kosovës, sepse selinë e kanë në Hagë, janë të Kosovës, atëherë sipas Kushtetutës së Kosovës, Presidenti ose Presidentja e Kosovës e ka të drejtën e faljes së të dënuarve.

Kjo është një nga mundësitë, por ajo duhet bërë në koordinim me aleatët tanë, jo kokë më vete. Mendoj se do të ishte gabim të bëhej kokë më vete. Duhet të bëhet në koordinim me Shtetet e Bashkuara, sidomos me Shtetet e Bashkuara, por edhe me Brukselin.

Ka edhe forma të tjera. Njëra prej mundësive: pak a shumë para tre muajsh, Presidenti Trump ka filluar një fushatë të egër kundër Gjykatës Penale Ndërkombëtare, për ta zhbërë atë mbrapsht. Është gjykatë tjetër, kjo nuk ka të bëjë me Dhomat e Specializuara.

Por nëse Shtetet e Bashkuara arrijnë të zhbëjnë Gjykatën Penale Ndërkombëtare dhe kjo gjykatë i ngjan Gjykatës Penale Ndërkombëtare, nuk do të kishte asnjë kuptim ekzistenca e Dhomave të Specializuara nëse Shtetet e Bashkuara e asgjësojnë atë.

Ata kanë bërë hapat e parë. Presidenti Trump ka sanksionuar katër gjykatës që punojnë në Gjykatën Penale Ndërkombëtare. I ka sanksionuar, do të thotë ka ndërprerë komunikimin me ta. Dhe unë nuk përjashtoj mundësinë që të bëhet një gjë e tillë edhe me Dhomat e Specializuara, sepse kryeprokurorja është amerikane dhe kryetari i trupit gjykues gjithashtu është amerikan.

Pra, është në dorën e amerikanëve që, nëse duan, konkretisht të Presidentit Trump, mund të ndërhyjnë në mënyrë të tërthortë, duke goditur personelin e Dhomave të Specializuara me procedura nacionale amerikane. Unë them, nuk e përjashtoj.