Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, në seancën e 15-të të mbajtur sot, miratoi vendimin për publikimin e përshkrimeve të vendvotimeve. Ky vendim është pjesë e aktiviteteve të përcaktuara në Kalendarin e afateve për zbatimin e Zgjedhjeve të parakohshme për kryetar të Komunës së Bërvenicës.
Sipas njoftimit të KSHZ-së, aktualisht po punohet për përmbylljen e Listës Zgjedhore dhe verifikimin e kandidaturave. Shorti për caktimin e renditjes së kandidatëve do të hidhet në një seancë publike, më së voni deri më 23 shtator.
Nga KSHZ deklaruan se vazhdon koordinimi me KKZ Bërvenicë dhe me të gjitha institucionet përgjegjëse, me synim që kushtet e domosdoshme të sigurohen në kohë. Në këtë mënyrë, qytetarëve të Komunës së Bërvenicës do t’u mundësohet ta ushtrojnë pa pengesa të drejtën e votës më 18 tetor.


