Autoritetet shëndetësore në Gjermani janë vënë në alarm pas një shpërthimi të rasteve të malaries në Frankfurt, një sëmundje kjo që në Europën Perëndimore mendohej se kishte mbetur pjesë e së shkuarës.
Autoritetet po hetojnë nëse ekziston ndonjë lidhje mes rasteve dhe aeroportit, pasi disa nga personat e infektuar kanë qenë punonjës të tij. Një nga mundësitë që po shqyrtohet është mbërritja e mushkonjave të infektuara me avionë nga vende ku malaria është e përhapur. Nëse këto mushkonja mbijetojnë dhe pickojnë persona të tjerë, ato mund ta transmetojnë parazitin që shkakton sëmundjen. Ky fenomen njihet si “malaria e aeroportit”.
Malaria është një sëmundje infektive që transmetohet kryesisht përmes pickimit të mushkonjave të infektuara. Në fazat e para, simptomat mund të ngatërrohen me gripin ose me një infeksion të traktit gastrointestinal.
Simptomat më të zakonshme përfshijnë temperaturën e lartë, të dridhurat, dhimbjet e kokës dhe të trupit, si dhe shqetësimet gastrointestinale. Forma më e rëndë, malaria tropica, mund të jetë fatale nëse nuk diagnostikohet dhe trajtohet në kohë.


