“Kurti dje s’ishte në Kosovë, kur e xhiroi videon?”, Krasniqi: Kjo do të duhej të vërtetohej sot

Një ditë pas aktgjykimit dënues në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, vazhdon të ketë reagime të shumta lidhur me veprimet që duhet të ndërmarrin institucionet e Kosovës për mbrojtjen e luftës çlirimitare.

Në mesin e reagmeve, është edhe kërkesa që urgjentisht të mblidhet Kuvendi i Kosovës për t’i diskutuar hapat tutje.

Por, një çështje tjetër është ngritur në emisionin “Kosova Today” në Klan Kosova, pasi që është raportuar se kryeministri Albin Kurti, gjatë ditës së djeshme nuk ka qenë në Kosovë.

Pas aktgjykimit dënues, Kurti bëri një adresim përmes një videoje të shpërndarë në rrjetin social Facebook.

Ka qenë gazetari Vullnet Krasniqi që ka kërkuar të sqarohet kjo video, nëse sipas tij, ajo është bërë më herët, pasi që Kurti dje mund të mos ketë qenë në Kosovë.

“Po mundohem me gjet nëse Kurti dje nuk ka qenë në Kosovë, qysh ka mund ta realizojë videon. Kjo është dasht të vërtetohet sot.”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka thënë se pavarësisht kësaj, shteti do të duhej sot me pas një fotografi të qartë për qytetarët e Kosovës.

“Në Kroaci ka qenë duke kaluar pushteti nga një parti në një parti tjetër. Dhe, të gjitha partitë i kanë largu dallimet dhe kanë hy e kanë kriju qeverinë bashkë. Menjëherë brenda 24 orëve është mbledhur Kuvendi i Kroacisë, ka bërë një ndarje buxhetore dhe ka deleguar deputetë nga të gjitha partitë politike për të lobuar në SHBA dhe Evropë dhe brenda javës është nda buxheti.”, ka thënë Krasniqi.