Arabia Saudite ka interceptuar dhe shkatërruar një dron të lëshuar nga rebelët Houthi në jug të Mekës, përpara se ai të hynte në hapësirën ajrore të ndaluar mbi qytetin e shenjtë.
Lajmi u bë i ditur nga zëdhënësi i koalicionit ushtarak të udhëhequr nga Arabia Saudite, Turki al-Malki, i cili tha se incidenti ndodhi të martën, raporton Reuters, transmeton Klankosova.tv.
Al-Malki deklaroi se siguria e dy vendeve më të shenjta të Islamit dhe e besimtarëve që i vizitojnë ato është një “vijë e kuqe”. Ai shtoi se koalicioni do të marrë masat e nevojshme parandaluese ndaj Houthive.
Meka është qyteti më i shenjtë i Islamit dhe qendra e pelegrinazhit vjetor të Haxhit, një prej pesë shtyllave të Islamit, që çdo vit tërheq miliona besimtarë nga e gjithë bota.
Sipas zëdhënësit saudit, ky është incidenti i dytë që lidhet me një përpjekje të pretenduar të Houthive për të goditur Mekën. Rasti i parë, sipas koalicionit, daton në korrik të vitit 2017, kur një raketë balistike ishte lëshuar në drejtim të zonës.
Ndërkohë, Arabia Saudite lëshoi të martën paralajmërime sigurie në disa pjesë të vendit, përfshirë Mekën dhe qytete të tjera, pas një jave sulmesh nga forcat e lidhura me Iranin, duke e përfshirë gjithnjë e më shumë mbretërinë në konfliktin e përshkallëzuar në Lindjen e Mesme.
Lidhur me këtë incident, ka raportuar edhe The Guardian.
Sipas raportimit të The Guardian, rebelët Houthi në Jemen kanë mohuar se kanë shënjestruar Mekën.
“Pretendimet se kemi shënjestruar Mekën janë një gënjeshtër e konsumuar, e cila është përdorur edhe më parë dhe nuk mashtron më askënd”, deklaroi zëdhënësi i Houthive, Hazem al-Assad.
Reagim të ashpër ka dhënë edhe Komuniteti Mysliman i Shqipërisë.
“Me indinjatë të thellë dhe shqetësim të madh, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë mori lajmin për përpjekjen e grupimit terrorist Huthi për të goditur Mekën e Shenjtë. Komuniteti Mysliman i Shqipërisë dënon me forcë dhe shpreh kundërshtimin e tij të prerë ndaj këtij akti të rëndë, i cili cenon shenjtërinë e Mekës së Shenjtë, Kiblës së myslimanëve dhe vendit të sigurt që mirëpret miliona besimtarë nga mbarë bota dhe drejt së cilës miliarda të tjerë drejtohen në lutjet e tyre. Siguria e Dy Xhamive të Shenjta, shenjtëria e tyre dhe siguria e mysafirëve të Allahut përbëjnë një vijë të kuqe që nuk mund të cenohet nga askush dhe për asnjë arsye”, thuhet në reagim.


