Çitaku pas vendimit dënues: Historia e Kosovës mbrohet duke vepruar, jo duke pritur

Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku ka reaguar pas vendimit dënues ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e cilësuar atë si një zhvillim të rëndë për Kosovën dhe duke kërkuar reagim të shpejtë institucional.

Çitaku ka kundërshtuar interpretimet se vendimi nuk do të ketë ndikim në mënyrën se si trajtohet historia e luftës së Kosovës, transmeton Klankosova.tv.

“Ani ‘vendimi nuk e ndryshon historinë e Kosovës’, po thonë disa. Flasim pas 3 apo 4 vitesh sa mund ta ndryshojë, nëse ne sot nuk veprojmë shpejt”, ka shkruar ajo në Facebook.

Sipas saj, vendimi ka krijuar një narrativë kolektive për UÇK-në, të cilën ajo e konsideron si kriminalizuese të luftës.

“Edhe një herë, ta kemi krejt të qartë: dje UÇK-ja u shpall ndërmarrje e përbashkët kriminale, në emër të popullit. Kaq e thjeshtë dhe kaq e rëndë është”, ka deklaruar Çitaku.

Ajo ka pretenduar se nuk janë trajtuar në mënyrë individuale veprimet konkrete të secilit prej të akuzuarve, duke e cilësuar verdiktin si të bazuar në një “narrativë kolektive”.

Deputetja ka kritikuar gjithashtu arsyetimin e vendimit dhe mënyrën se si, sipas saj, është trajtuar puna e mbrojtjes gjatë procesit gjyqësor.

“Një vendim që, në bindjen time, duket sikur ishte shkruar para se gjykimi të përfundonte. Një vendim që e ka shpërfillur pothuajse në tërësi punën e mbrojtjes”, ka shkruar ajo.

Në reagimin e saj, Çitaku ka përmendur edhe dëshmitë e Wesley Clark, James Rubin dhe dëshmitarëve të tjerë të mbrojtjes, duke pretenduar se ato janë shpërfillur.

Ajo e ka cilësuar verdiktin si “drakonik” dhe ka theksuar se, sipas saj, ai ka shkuar edhe përtej asaj që kishte kërkuar Prokuroria.

Pos tjerash, deputetja ka bërë thirrje për reagim institucional nga shteti i Kosovës.

“Është detyra jonë, si shtet dhe si institucione, të reagojmë shpejt, seriozisht dhe institucionalisht”, ka shkruar ajo.

“Sepse historia nuk mbrohet vetëm duke thënë se nuk mund të ndryshohet. Historia mbrohet duke vepruar kur dikush përpiqet ta rishkruajë”.