Driton Nebiu: Dërguat dosje në Hagë, akuzuat njëri tjetrin, Marre, more njerëz… marre!

Driton Nebiu nga Lidhja për Shqiptarët përmes një postimi në profilin e tij ka komentuar vendimin e djeshëm të gjykatës së Hahës mbi krerët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si një vendim të rëndë dhe të pa drejtë. Nebiu njëherit po ashtu akuzon shumë ish bashkëluftëtar dhe protagonist në Kosovë përveç që kanë akuzuar njëri tjetrin kanë dërguar edhe dosje në dhomat e specializuara në Hagë, shkruan Top24

Postimi i i plotë i Driton Nebiut:
Rri e mendoj me vete dhe analizoj gjithë këta komandantë, analistë e politikanë të Kosovës… dhe pyes veten: si ka mundësi që për vite me radhë nuk lanë gjë pa thënë kundër njëri-tjetrit? Nuk lanë medium, përfaqësues të huaj apo institucione ndërkombëtare pa i akuzuar njëri-tjetrit për kriminelë e vrasës. Madje, disa shkuan aq larg sa çuan edhe dëshmi në Hagë kundër bashkëluftëtarëve të tyre.
E sot, pas një vendimi që shumë prej nesh e shohin si një nga vendimet më të rënda e më të padrejta në historinë e shtetit të Kosovës, të ndikuar sipas tyre edhe nga Serbia, si mund të dilni e të qani me “lot krokodili”, sikur vetëm sot ju dhembka zemra për Kosovën?!
Marre, more njerëz… marre!
Me gjithë respektin për luftën që keni bërë dhe për sakrificën që keni dhënë për lirinë e Kosovës, duhet thënë edhe e vërteta: marre për disa prej jush për atë që ndodhi pas luftës, për përçarjet, akuzat dhe luftën e pamëshirshme për pushtet.
Sepse shumica apo 99% e atyre që kanë luftuar për Kosovën kanë qenë dhe janë njerëz të sinqertë, të pastër shpirtërisht dhe kombëtarisht. Por për disa, interesi dhe pushteti duket se e kanë prishur atë kod që dikur i bashkonte.
Interesi ua zëvendësoi idealin.
Pushteti ua zbehu kujtesën.
Dhe përçarja ua dëmtoi kodin kombëtar.
Kosova nuk u bë për t’u përdorur si shkallë drejt pushtetit. U bë me gjak, me sakrificë dhe me një ideal që duhej të na bashkonte.
Marre për ata që e harruan këtë.
Respekt për ata që nuk e harruan kurrë.
Dhe nder për të gjithë ata që dhanë gjithçka për Kosovën, pa kërkuar asgjë në këmbim.
🇽🇰 Kosova është më e madhe se çdo individ, parti apo pushtet.
LIRI PËR ÇLIRIMTARËT🇦🇱