Mbi 1 mijë regjisorë dhe kineastë izraelitë nënshkruan të hënën, 14 shtator, një peticion në mbështetje të Yuval Abraham dhe Rachel Szor, autorët izraelitë të dokumentarit investigativ “NAZA”, i cili trajton viktimat civile në Gaza dhe mënyrën se si kryhen sulmet ndaj palestinezëve.
Në peticion thuhet se ditët e fundit autorët e filmit janë përballur me një fushatë të paprecedentë sulmesh dhe nxitjeje kundër tyre, duke paralajmëruar se kjo situatë po afrohet gjithnjë e më shumë me kërcënime për dhunë dhe jetën e tyre. Mes firmëtarëve janë edhe kineastë të njohur izraelitë, si Ari Folman, Shlomi Elkabetz, Ran Tal dhe Michal Aviad. Dokumentari “NAZA” fitoi të shtunën Çmimin Special të Jurisë në Festivalin e Filmit në Venecia. Filmi bazohet në dëshmitë e 24 ushtarëve dhe punonjësve të inteligjencës izraelite dhe shqyrton përdorimin e inteligjencës artificiale nga Izraeli në përcaktimin e objektivave ushtarake dhe ndikimin e saj në viktimat civile në Gaza.
Pas çmimit në Venecia, ministri izraelit i Kulturës, Miki Zohar, kërkoi që Ministria e Brendshme të shqyrtojë heqjen e shtetësisë izraelite për autorët e filmit. Ai e cilësoi dokumentarin si “të neveritshëm” dhe tha se ai përbën “tradhti”.
Ushtria izraelite, ndërkohë, ka mohuar një pretendim të paraqitur në film, sipas të cilit ushtria kishte planifikuar dhe miratuar një sulm në Gaza ku priteshin deri në 500 viktima civile. IDF e cilësoi këtë pretendim si “krejtësisht të pavërtetë”. Në një pjesë të filmit, një person që paraqitet si pjesëtar i inteligjencës izraelite pyetet për numrin më të madh të viktimave civile që ishte parashikuar të shkaktonte një sulm. Ai përgjigjet se dikur ishte miratuar një sulm me pritshmëri prej 500 viktimash civile. Kineastët që nënshkruan peticionin kritikuan gjithashtu ata persona që kanë sulmuar filmin pa e parë atë.
Ata thanë se kritika ndaj një filmi është e ligjshme, por kërcënimet dhe gjuha nxitëse ndaj autorëve janë shqetësuese. Ata shpresojnë që “NAZA” të shfaqet së shpejti edhe në Izrael, në mënyrë që publiku ta shohë filmin, të krijojë mendimin e vet dhe të zhvillohet një debat për luftën në Gaza dhe pasojat e saj.
Edhe organizatat izraelite Documentary Forum dhe Directors Guild kanë dënuar kërcënimet ndaj dy autorëve në rrjetet sociale. Nga ana tjetër, ushtria izraelite ka kundërshtuar filmin, duke thënë se ai bazohet në dëshmi anonime të personave, identiteti dhe roli i të cilëve nuk mund të verifikohen. IDF pretendon gjithashtu se disa nga deklaratat në film lidhen me çështje që, sipas saj, janë përtej njohurive të ushtarëve të rangut të ulët.


