Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov deklaroi sot se nëse Evropa sulmon Rusinë, lufta që do të pasonte do të ishte “krejtësisht ndryshe” dhe “shumë e shkurtër”, transmeton Anadolu.
Duke folur në Festivalin Ndërkombëtar të Rinisë në qytetin e Jekaterinburgut, Lavrov tha se zyrtarët rusë kanë deklaruar vazhdimisht se Moska nuk ka ndërmend të sulmojë Evropën dhe se “nuk ka interes ta bëjë këtë”.
“Rusia ka thënë vazhdimisht se nuk do të sulmojmë vendet perëndimore dhe se nuk kemi interes ta bëjmë këtë. Por nëse Evropa, e cila flet rregullisht për përgatitjen për luftë kundër Rusisë, sulmon Federatën Ruse, atëherë kjo do të jetë një luftë krejtësisht ndryshe dhe do të jetë shumë e shkurtër”, theksoi ai.
Lavrov vuri në dukje se përballja nuk është mënyra e veprimit e Rusisë, qëndrimi ky i përsëritur vazhdimisht nga udhëheqja ruse, përfshirë personalisht presidentin Vladimir Putin.
“Perëndimi shumë kohë më parë bëri zgjedhjen në favor të frenimit të Rusisë”, tha ai, duke iu referuar asaj që e cilësoi si zgjerim “me forcë” të NATO-s drejt kufijve të Rusisë.
Ministri kritikoi gjithashtu deklaratat e liderëve evropianë për nevojën e përgatitjes për një luftë me Rusinë, duke thënë se kjo çështje është shndërruar në një temë kryesore mes liderëve aktualë politikë evropianë në Bruksel.


