Ish-emisari amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi.
Përmes një postimi në “X”, Grenell e ka cilësuar vendimin si “skandaloz” dhe ka ngritur kritika ndaj rolit të gjykatave ndërkombëtare, duke argumentuar se vendimmarrja e tyre mund të jetë e ndikuar nga konsiderata politike, transmeton Klankosova.tv.
Grenell ka kritikuar edhe trupin gjykues dhe prokurorin amerikan, duke i akuzuar për qëndrime politike. Ai ka përmendur në mënyrë të veçantë gjyqtarin zviceran Guenael Mettraux, për të cilin pretendon se ka pasur rol të rëndësishëm në drejtimin e procesit.
“Vendimi i Gjykatës në Hagë për shpalljen fajtor të Hashim Thaçit, për një luftë të ndodhur 25 vjet më parë, është skandaloz. Askush nuk është i sigurt nga këto gjykata ndërkombëtare, ku elitat akademike marrin vendime politike. Këta tre gjyqtarë dhe prokurori amerikan janë të majtë ekstremë. Është e qartë se ata nuk i dëgjuan këshilltarët e Bill Clintonit, të cilët bënë të qartë se Thaçi nuk e drejtonte luftën. Gjyqtari zviceran Guenael Mettraux ishte lideri i vërtetë, duke injoruar çështjet ligjore dhe duke zgjedhur në vend të tyre politikën e Jack Smithit”, ka shkruar ai.
Po ashtu, në reagimin e tij, ai i është drejtuar edhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, duke kërkuar që ai dhe deputetët e Kuvendit të ndërmarrin hapa për shpërbërjen e Dhomave të Specializuara, të cilat kanë selinë në Hagë.
“Edhe @albinkurti duhet të veprojë shpejt për ta shpërbërë këtë Gjykatë të huaj. Anëtarët e Parlamentit duhet të punojnë me Kurtin për ta bërë këtë të mundur. Kosovës nuk i duhet një gjykatë në Holandë”.


