Durmishi nga SHBA: Vlerësimi i DASH-it është sinjal i mirë për ekonominë tonë

Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, e ka vlerësuar si sinjal jashtëzakonisht pozitiv për ekonominë e Maqedonisë së Veriut vlerësimin e Departamentit Amerikan të Shtetit se projektet infrastrukturore dhe energjetike në vend hapin mundësi të reja për kompanitë amerikane.

Në një njoftim, Durmishi thekson se zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Daniel Lawton, gjatë dëshmisë së tij para Kongresit Amerikan, ka veçuar pozitën strategjike të Maqedonisë së Veriut dhe rëndësinë e projekteve që përmirësojnë lidhjen rajonale.

“Ky vlerësim na gëzon, por njëkohësisht na obligon të punojmë edhe më shumë”,shprehet Durmishi.

Sipas tij, prioritet mbetet krijimi i kushteve që Maqedonia e Veriut të bëhet një destinacion serioz për investitorët amerikanë dhe evropianë.

“Kjo do të thotë më shumë investime, kompani vendase më të fuqishme dhe vende pune më të mira”, thekson ministri.

Durmishi e përmbyll mesazhin me zotimin për vazhdimin e punës në drejtim të forcimit të ekonomisë dhe krijimit të mundësive të reja për investime në vend.