PDK-ja thirrje akterëve publikë të mos krijojnë panik të panevojshëm para vendimit të nesërm

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, u ka bërë thirrje të gjithë akterëve publikë ta ruajnë qetësinë dhe të mos krijojnë panik të panevojshëm te qytetarët, pak orë para vendimit të Gjykatës Speciale për ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.

Në një konferencë për media të martën, Gruda ka thënë se reagimet e ditëve të fundit për kinse trazira në rast aktgjykimit dënues kanë krijuar ankth të panevojshëm te qytetarët.

“Si PDK, kemi përcjellë me shqetësim disa reagime publike të ditëve të fundit, të cilat kanë krijuar ankth të panevojshëm te qytetarët. Në momente të tilla, të gjithë akterët publikë kanë përgjegjësi të tregojnë maturi dhe kujdes. Kosova ka dëshmuar se di t’i përballojë momentet e mëdha me dinjitet”, ka thënë Gruda.

Ai është shprehur se PDK nesër pret lirimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit nga të gjitha aktakuzat, sepse lufta mbrojtëse dhe çlirimtare e Kosovës të nuk mund të vendoset në të njëjtin plan me politikën shtetërore të agresionit, represionit dhe spastrimit etnik të regjimit serb.

“Ne e themi sot me shpresë dhe besim: nesër duam të festojmë. Duam t’i shohim Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin të lirë dhe në rrugën e kthimit në Kosovë. Deri atëherë, përgjegjësia jonë është e qartë. Do ta mbrojmë të vërtetën për luftën e UÇK-së. Do ta mbrojmë sakrificën e popullit të Kosovës. Do ta mbrojmë legjitimitetin e shtetit tonë”, shtoi ai.

Gruda paralajmëroi se në rast se do të merret një vendim ndryshe, ai do të kundërshtohet me vendosmëri, me argumente dhe me të gjitha mjetet juridike e demokratike në dispozicion.

“Prandaj, edhe partnerëve tanë ndërkombëtarë u kërkojmë të njëjtën gjë që kemi kërkuar gjithmonë: drejtësi të bazuar në prova, standarde të barabarta dhe respekt për të vërtetën historike të Kosovës”, tha deputeti i PDK-së.

Duke kujtuar represionin, dhunën, dëbimet, vrasjet dhe krimet e kryera ndaj popullit të Kosovës për dekada, Gruda tha se historia nuk mund të rishkruhet.

“Në vitin 1999, UÇK-ja dhe demokracitë perëndimore u gjendën bashkë në anën e drejtë të historisë. Ky partneritet dhe kjo mbështetje ndërkombëtare i dhanë fund një katastrofe humanitare dhe hapën rrugën drejt lirisë dhe shtetit të Kosovës. Prandaj, historia e Kosovës nuk duhet të rishkruhet. Dihet kush ishte agresori dhe kush ishte viktima. Dihet kush ushtroi dhunë dhe represion, kush dëboi qindra mijëra qytetarë nga shtëpitë e tyre dhe pse bota demokratike ndërhyri”, theksoi Gruda.

Verdikti i Speciales pritet të shpallet nesër nga ora 10:00.