Huthit kanë kryer sulme me raketa balistike dhe dronë ndaj tri qyteteve në Arabinë Saudite, duke plagosur 13 civilë, njoftoi koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite, raporton AA.
Zëdhënësi i koalicionit, Turki al-Malki, tha se sulmet të hënën kishin në shënjestër Khamis Mushait, Abha dhe Taif, ndërsa të plagosurit pësuan lëndime të lehta deri mesatare. Po ashtu, u dëmtuan shtatë shtëpi dhe dy automjete.
Sipas Anadolu, koalicioni akuzoi Huthitët se synojnë qëllimisht civilët dhe infrastrukturën civile, ndërsa paralajmëroi masa për parandalimin e sulmeve të tjera.
Ndërkohë, Mbrojtja Civile saudite lëshoi alarme për rrezik të mundshëm në gjashtë qytete, por më vonë njoftoi se rreziku kishte kaluar.
Sulmet pasuan pretendimet e Huthive se avionët luftarakë sauditë kishin kryer 54 sulme në pesë provinca të Jemenit brenda 24 orëve. Huthitë paralajmëruan se sulmet nuk do të mbeteshin pa përgjigje.
Përplasjet mes forcave të qeverisë së njohur ndërkombëtarisht të Jemenit dhe Huthive janë përshkallëzuar që nga fillimi i korrikut, pas disa vitesh qetësie relative. Lufta në Jemen vazhdon që nga viti 2014, kur Huthitë morën kontrollin e kryeqytetit Sana’a dhe disa provincave, ndërsa koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite ndërhyri në vitin 2015 në mbështetje të qeverisë.


