Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti ka shkruar për rikthimin e tij në një sallë gjyqi në Hagë, gati 32 vjet pasi për herë të fundit ishte në një sallë gjyqi, në ditën kur dënohej babai i tij, veprimtari politik e kombëtar, Ukshin Hoti.
Në një postim në Facebook, Hoti ka kujtuar 28 shtatorin e vitit 1994, kur regjimi serb dënoi babanë e tij për bindjet dhe veprimtarinë e tij politike e kombëtare, transmeton Klankosova.tv.
“Sot, po gjykohet një nga kapitujt më të lavdishëm të historisë sonë – Ushtria Çlirimtare e Kosovës që i priu luftës për liri”, ka shkruar Hoti, duke e lidhur historinë e babait të tij me procesin gjyqësor ndaj drejtuesve të UÇK-së në Hagë.
Ai ka theksuar se Kosova nuk është arritur si dhuratë, por përmes burgut, përndjekjes, gjakut, jetëve dhe sakrificës.
“Prandaj, sot jam këtu si qytetar i një Republike të lirë, që e di mirë çmimin e kësaj lirie”, ka shkruar Hoti.
Sipas tij, historia e Kosovës mund të sfidohet, të shtrembërohet apo të tentohet të rishkruhet, por nuk mund të zhbëhet.
“Sepse verdikti më i madh për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës është vetë Kosova e lirë”, ka deklaruar Hoti.
Ai ka vënë në pah edhe një paradoks që, sipas tij, lidhet me praninë e tij në Hagë.
Hoti ka shkruar se në të njëjtin qytet ku po zhvillohet procesi gjyqësor që trajton luftën e fundit në Kosovë, ndodhen edhe mostrat e eshtrave të nxjerra vetëm pak javë më parë nga Kalludra dhe Jabuka.
Sipas tij, bëhet fjalë për mbetje mortore që dyshohet se u përkasin së paku 23 shqiptarëve të zhdukur gjatë luftës, mes tyre intelektualë, doktorë, profesorë dhe inxhinierë.
Ai ka theksuar se mostrat presin identifikimin përmes ADN-së, me shpresën që familjet e tyre, pas më shumë se 27 vjetësh, të marrin përgjigjen që presin.
“Në të njëjtin qytet: një sallë gjyqi për luftën e Kosovës dhe një laborator ku eshtrat e viktimave të asaj lufte nga Serbia ende presin të identifikohen. Ky është paradoksi i rëndë i historisë sonë”, ka shkruar Hoti.
“Gati 32 vjet më vonë, përsëri në një sallë gjyqi. Përsëri për Kosovën”.


