Bill Gates ngre alarmin për IA-në: Asnjë shtet nuk është gati për ndryshimet që inteligjenca artificiale do sjellë në botë

Asnjë qeveri në botë nuk është vërtet e përgatitur për ndryshimet që Inteligjenca Artificiale do të sjellë në shoqëri, tha Bill Gates në një intervistë me Reuters, ndërsa paralajmëroi për rreziqet që e presin botën.

Bashkëthemeluesi i Microsoft ishte deri vonë optimist për mundësitë e Inteligjencës Artificiale. Megjithatë, tani ai ka ndryshuar qëndrimin e tij, duke paralajmëruar për ndikimin e saj në tregun e punës, rreziqet e sulmeve të mundshme dhe varësinë që mund të krijohet nga “shoqëruesit” e IA-së dixhitale.

“Nuk mendoj se ndonjë qeveri po merret me këtë në masën që duhet të merret”, tha ai.

Por ai gjithashtu theksoi se teknologjia ka potencial të madh për të ndihmuar njerëzit më të varfër në botë, me kusht që të përdoret siç duhet dhe qasja të jetë e barabartë.

Fondacioni Gates njoftoi të martën se planifikon të ndajë të paktën 1 miliard dollarë gjatë dy viteve të ardhshme për të zgjeruar aksesin në inteligjencën artificiale.

Gates tha se ka diskutuar shqetësimet e tij me udhëheqësit botërorë, përfshirë Presidentin e SHBA-së Donald Trump dhe ekipin e tij, dhe tha se po kërkon të takohet me Presidentin Kinez Xi Jinping më vonë këtë vit.

“Qeveritë kanë mbetur shumë prapa në këtë çështje”, tha ai.

Pavarësisht frikës së tij, Gates dhe fondacioni i tij besojnë se inteligjenca artificiale mund të ndihmojë në ngushtimin e hendekut midis vendeve të pasura dhe të varfra, në vend që ta zgjerojë atë.

Programi prej 1 miliard dollarësh është pjesë e një plani më të gjerë nga Fondacioni Gates, i cili ka njoftuar se do të shpenzojë rreth 9 miliardë dollarë çdo vit. Fondet e reja do t’u shkojnë partnerëve që punojnë në arsim, shëndetësi dhe bujqësi.

Qëllimi është gjithashtu të krijohen bazat e të dhënave të nevojshme mbi të cilat bazohet inteligjenca artificiale, duke përfshirë sigurimin që modelet e mëdha gjuhësore të mund të funksionojnë në të gjitha gjuhët që flasin njerëzit.

“Në sektorin e shëndetësisë, është e vështirë të ekzagjerohet madhësia e mundësive”, tha Gates, duke iu referuar gjithçkaje, nga mbështetja e punonjësve të kujdesit shëndetësor në vijën e parë deri te zbulimi i barnave dhe vaksinave të reja. Megjithatë, ai theksoi se qeveritë duhet të punojnë së bashku për të shmangur problemet serioze, duke e krahasuar ardhjen e inteligjencës artificiale me një skenar filmi me katastrofa.

“Ka të gjitha llojet e filmave ku vijnë alienët dhe, sikur me magji, SHBA-të, Kina dhe të gjithë të tjerët bashkohen për të zgjidhur problemin”, tha ai.

“IA është në një farë mënyre si kjo inteligjencë aliene. Ata janë këtu dhe ne më mirë të bëjmë atë që i shohim të bëjnë në këto filma”, shtoi Gates.

Në qershor, Gates dëshmoi para Kongresit në lidhje me marrëdhënien e tij me Jeffrey Epstein.

Gates nuk është akuzuar për asnjë krim dhe ka thënë vazhdimisht se i vjen keq për marrëdhënien e tij me Epstein, nga i cili shpresonte se mund të siguronte donacione për kauza globale shëndetësore.

Në vend të kësaj, thotë Gates, financuesi u përpoq ta shantazhonte duke përdorur informacion në lidhje me marrëdhëniet e tij jashtëmartesore.

Çështja e shtyu Fondacionin Gates të kërkonte një auditim të jashtëm. Hetimi nuk gjeti pagesa për Epstein ose përfshirje në aktivitete kriminale.

Gates ka pohuar se, pavarësisht zbulimeve, marrëdhënia e tij me Epstein nuk i ka shkaktuar dëme të konsiderueshme as reputacionit të tij dhe as atij të fondacionit të tij.

“Sa i përket aksesit tim tek udhëheqësit e qeverisë ose, gatishmërisë së gazetarëve për të më intervistuar, nuk shoh ndonjë rënie”, tha ai, duke shtuar se interesi për ekspertizën e Fondacionit Gates në uljen e vdekjeve të fëmijëve dhe eliminimin e malaries nuk është zvogëluar “aspak”.