BDI: A ishte vetura e zv.drejtorit Mustafa Dauti menjëherë pas veturës së të arrestuarit për ryshfet prej 17.500 euro

BDI në një kumtesë për media thotë se pas arrestimit në flagrancë të ndihmësdrejtorit të Drejtorisë së Doganave, nën dyshimin për marrjen e 17.500 eurove ryshfet, në opinion po qarkullon një informacion i ri që kërkon përgjigje të menjëhershme nga policia.

Ata pyesin se “a është e vërtetë se gjatë momentit të arrestimit, menjëherë pas veturës së të arrestuarit ndodhej vetura e zëvendësdrejtorit të Doganave, Mustafa Dauti?”

“Nëse po, kërkojmë nga MPB-ja të sqarojë publikisht: Kush ndodhej në atë veturë?; Përse vetura e zëvendësdrejtorit të Doganave ishte në vendin dhe në momentin e arrestimit?; A është marrë në pyetje Mustafa Dauti ose personat që ndodheshin në veturën e tij?; A po hetohet nëse rasti i 17.500 eurove lidhet edhe me persona të tjerë brenda hierarkisë së Drejtorisë së Doganave?”.

Kur një zyrtar kapet në flagrancë për një tender, hetimi nuk mund të përfundojë vetëm te personi që ka marrë paratë. Duhet të zbardhet i gjithë zinxhiri: kush e organizoi, kush e dinte dhe kush qëndronte pas tij. MPB-ja dhe Prokuroria kanë detyrim t’i japin opinionit përgjigje të qarta dhe të plota”,thonë nga BDI.